Lidhje

Valentin: të mënjanohen strukturat paralele në Veri të Mitrovicës - 2002-09-27


Komandanti i KFOR-it Marcel Valentin tha të premten se investimet ekonomike dhe mënjanimi i strukturave paralele në veriun e Mitrovicës janë kushti kryesor për zgjidhjen e çështjes së saj. Në një intervistë dhënë korrespondentit tonë në Prishtinë Shefki Morina, gjenerali Valentin tha se çelësi i kësaj zgjidhjeje vazhdon të jetë në Beograd.

Ai shtoi se kryeadministratori i Kosovës, Michael Steiner po punon për mënjanimin e këtij problemi, që sipas tij është politik. Zoti Valentin beson se në Mitrovicë ka patur një përparim të ngadalshëm, por afatgjatë, përfshirë aspektin e sigurisë.

Ai shprehu kënaqësinë për shkallën e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë. Gjenerali e pranoi se ka raste kur është përdorur dhuna, por ai vlerëson se e rëndësishme është që ajo nuk ka motive ndëretnike dhe e quajti këtë në radhë të parë meritë të popullatës së Kosovës.

Gjenerali Valentin tha se gjendja e pakicave në Kosovë, është përmirësuar dukshëm, ndërsa komuniteti serb sipas tij përballet ende me pengesa që ai i quajti psikologjike dhe që duhen tejkaluar. Ai tha se shqiptarët si kombësi që përbëjnë shumicën, duhet të jenë të ndjeshëm ndaj problemeve dhe gjendjes së pakicave, përfshirë kthimin e të zhvendosurve. Megjithatë ai shtoi se çdo kthim duhet të jetë i planifikuar dhe i organizuar dhe nuk mund të lejohet kurrfarë kthimi masiv.

Lidhur me pohimet e herëpashershme të përfaqësuesve politikë serbë për kthimin ushtrisë dhe policisë së tyre në Kosovë, ai tha se NATO-ja vlerëson që gjendja e sigurisë në Kosovë nuk është e përshtatshme për kthimin e forcave serbe.

Në Kosovë nuk ka vend për dy ushtri dhe KFOR-i, është e vetmja ushtri, tha gjenerali. Zoti Valentin tha se KFOR-i po bën gjithçka të mundur për të mos lejuar që Kosova të bëhet strehë për ndonjë terrorist dhe KFOR-i po vazhdon kërkimet për mundësinë e pranisë së njerëzve të tillë.

Gjeneral Valentin ia dorëzon pas pak ditësh detyrën kolegut të tij italian Fabio Mini.//kk//

XS
SM
MD
LG