Lidhje

Mision amerikan për të bindur Francën dhe Rusinë - 2002-09-27


Shtetet e Bashkuara dërguan një diplomat të rangut të lartë në Francë dhe në Rusi për të bindur dy anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit që të mbështesin një projekt rezolutë të OKB-së, ku t’i kërkohet Irakut që të çarmatoset përndryshe do të përballet me veprime ushtarake.

I dëguari amerikan, nënsekretari i shtetit për çështjet politike, Marc Grossman, arriti të premten në Paris ndërsa të shtunën do të shkojë në Moskë. Si Franca, edhe Rusia kanë shprehur rezerva lidhur me përdorimin e forcës kundër Irakut.

Ministri i jashtëm rus, Igor Ivanov tha të premten se Moska nuk ka parë ndonjë provë të qartë se Iraku ka armë të shkatërrimit në masë. Ai tha se inspektorët e Kombeve të Bashkuara duhet të kthehen në Irak dhe se shtyrja e nisjes së tyre do të ishte një gabim i pafalshëm.

Anëtarë të Kongresit shkojnë në Irak

Ndërkohë, tre anëtarë të Kongresit amerikan ndodhen në Bagdad në përpjekje për një zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Irakut.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Jim McDermott, tha sot pas arritjes në aeroportin e Bagdadit se lufta duhet të jetë alternativa e fundit dhe se Shtetet e Bashkuara në asnjë mënyrë nuk duhet të sulmojnë të parat. Ai tha se grupi i ligjvënësve kërkon që administrata e Presidentit Bush të bëjë çdo përpjekje për të shmagur luftën.

Zoti McDermott i bëri gjithashtu thirrje Presidentit Saddam Hussein që të lejojë inspektorët e Kombeve të Bashkuara të lëvizin lirisht kudo në vend.

Ai tha se Departamenti amerikan i shtetit është në dijeni të vizitës që po bëjnë tre ligjvënësit demokratë. Dy anëtarët e tjerë të Dhomës së Përfaqësuesve që bëjnë pjesë në delegacion janë David Bonior dhe Michael Thompson.//kk

XS
SM
MD
LG