Lidhje

Blair: programi i Irakut për armët është aktiv, i detajuar dhe duke u rritur - 2002-09-28


Kryeministri britanik, Tony Blair, foli në parlamentin e vendit të tij mbi rrezikun që përbëjnë armët irakiane të shkatërrimit në masë. Regjimi i Sadam Huseinit premtoi të heqë dorë nga armë të tilla në vitin 1991, pasi një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i nxori trupat irakiane nga Kuvajti. Por siç vuri në dukje zoti Blair, programi i Irakut për të grumbulluar armë të tilla sot është aktiv, i detajuar dhe duke u rritur.

Kryeministri Blair paraqiti të dhëna të nxjerra nga një raport prej 50 faqesh mbi programin e armëve të Irakut, hartuar në bazë të të dhënave të zbulimit. Në raport jepen hollësi mbi mënyrat se si regjimi i Bagdatit ka grumbulluar dhe përdorur armë kimike, ka prodhuar dhe krijuar rezerva armësh biologjike dhe është përpjekur të shtjerë në dorë armë bërthamore. Ushtria irakiane, thuhet në raport, mund të vërë në gatishmëri armë kimike dhe biologjike, brenda 45 minutash nga çasti kur t’i jepet urdhëri për një gjë të tillë. Regjimi irakian ka po ashtu mjete për të përdorur armë të tilla në rast të një sulmi. Sipas raportit, Iraku ka mbajtur ilegalisht deri në 20 raketa al-Hussein, të cilat mund të mbartin mbushje kimike ose biologjike dhe kanë një rreze veprimi prej 650 kilometrash. Kjo do të thotë se ato mund të godisin Izraelin, Turqinë, ose bazat britanike në Qipro.

Sipas raportit, planet ushtarake të Irakut tregojnë se regjimi i Sadam Huseinit është i gatshëm të përdorë armë kimike dhe biologjike, edhe kundër popullsisë Shia të vetë Irakut. Kjo është veçanërisht e tmerrshme po të kemi parasysh se regjimi irakian i ka përdorur armët kimike për të vrarë mijëra civilë kurdë më 1988. Të dhëna të zbulimit tregojnë se Sadam Huseini është i vendosur t’i ruajë kapacitetet e tij të armëve bilogjike e kimike, si një mjet i domosdoshëm për të mbajtur në këmbë peshën politike irakiane. Për këtë arsye, thuhet në raport, Iraku është duke marrë masa për të penguar inspektorët e armëve të OKB-së që të gjejnë dëshmi të programeve të tij të armëve kimike dhe biologjike.

Siç tha zoti Blair, regjimi irakian ka blerë ose është përpjekur të blejë pajisje të nevojshme për të ndërtuar centrifuga që përdoren për të pasuruar uraniumin që përdoret në armët bërthamore. Dhe megjithëse nuk ka ndonjë program bërthamor civil aktiv, Iraku ka kërkuar sasi të mëdha uraniumi nga Afrika. Sipas Komisionit të Përbashkët Britanik të Zbulimit, Iraku mund të prodhojë një armë bërthamore brenda një ose dy vjetësh, sikur të mund të sigurojë material të zbërthyeshëm nga burime të huaja. Një raport i botuar kohët e fundit nga Instituti Ndërkombëtar i Studimeve Strategjike, arrinte në përfundimin se Bagdati mund të prodhojë një armë bërthamore brenda disa muajsh, në se siguron materialin e zbërthyeshëm nga jashtë.

Vendet e qytetëruar po kërkojnë që regjimi i Sadam Huseinit të shkatërrojë të gjitha armët e tij të shkatërrimit në masë. Siç tha kryeministri Tony Blair, kjo kërkesë duhet bërë realitet.//ze

XS
SM
MD
LG