Lidhje

I dërguari amerikan në Moskë për çështjen e Irakut - 2002-09-28


Një diplomat i lartë amerikan zhvillon sot bisedime në Moskë me shpresën se do të përfitojë përkrahje për një rezolutë të re të fortë Kombeve të Bashkuara ndaj Irakut.

Nënsekretari amerikan i shtetit për çështjet politike ishte dje në Paris, ku kërkoi përkrahjen e Francës, një vend tjetër anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me të drejtë vetoje.

Nënsekretari Marc Grossman pritet të ndeshet me qëndresën e Rusisë gjatë bisedimeve të tij me ministrin e jashtëm rus, Igor Ivanov, të cilat synojnë të kapërcejnë kundërshtimet e vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit për një ndërhyrje të mundshme ndërkombtëare në të ardhmen në Irak.

Të dy personalitetet, së bashku me një të dërguar të lartë britanik, pritet të diskutojnë mbi një projekt-rezolutë të përpiluar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, e cila, sipas njoftimeve, kërkon që të përdoret automatikisht forca, në rast se presidenti i Irakut, Saddam Hussein, nuk bashkëpunon plotësisht me inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët.

Në prag të këtyre bisedimeve, zoti Ivanov përsëriti dëshirën e Rusisë për të parë prova të qarta të pretendimeve amerikane dhe britanike se Iraku po shton arsenalin e tij në përpjekje për të siguruar armë të shkatërrimit në masë.

Presidenti rus, Vlladimir Putin, është shprehur se mendon që pranimi kohët e fundit nga ana e Irakut për të lejuar kthimin e inspektorëve të Kombeve të Bashkuara për armët është i mjaftueshëm.

Rusia është njëra prej 5 vendeve-anëtare të përhershëm të Këshillit të Sigurimit që ka të drejtë t'i vërë veton çdo rezolute mbi Irakun. //az

XS
SM
MD
LG