Lidhje

FMN dhe Banka Botërore fillojnë në Uashington takimet e tyre vjetore - 2002-09-28


Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore fillojnë të shtunën në Uashington takimet e tyre vjetore, të cilat pritet të përqëndrohen në diskutimin e ekonomisë së ngadalësuar botërore dhe në parandalimin e krizave ekonomike.

Sekretari amerikan i thesarit Paul O’Neill tha se ekonomia botërore u rrit me një rritëm të mesëm në krahasim me fillimin e vitit dhe se rreziqet ende ekzistojnë. Megjithatë, shtoi ai, vendet e pasura po ndjekin politika që duhet të mbështesin zgjerimin e vazhdueshëm ekonomik.

Ministrat e Financave dhe zyrtarë të bankave qëndrore nga 184 vende anëtare pritet të mbështesin një plan për parandalimin e krizave ekonomike, si ato në Argjentinë dhe Brazil. Plani do të bënte të mundur ristrukturimin e borxheve për vendet, që ndeshen me vështirësi të mëdha ekonomike.

Ky plan siguroi mbështetjen vendimtare të zyrtarëve të lartë financiarë nga vendet me ekonominë më të fortë të botës, të njohura si Grupi i Shtatëshes, të cilët u takuan të premtën këtu në Washington.

Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Japonia, Britania, Gjermania, Franca dhe Italia u zotuan të bashkërendojnë përpjekjet për të përmirësuar masat, që do t’i vinin korporatat para përgjegjësisë për shkelje dhe të diskutojnë mënyrat për të bllokuar fondet për terroristët.

Ndërkaq, mijëra demonstrues po protestojnë të shtunën për të dytën ditë në Uashington kundër politikave të zhvillimit dhe globalizimit të FMN-së dhe Bankës Botërore. Protestat kanë qënë më të vogla se sa ishin parashikuar.

Nuk pati çrregullime të mëdha ose plagosje në radhët e forcave të policisë ose mes protestusve, megjithëse mbi 600 protestues u arrestuan për bllokimin e trafikut dhe për shkelje të tjera të vogla. //az

XS
SM
MD
LG