Lidhje

Forcat izraelite tërhiqen nga selia e Arafatit - 2002-09-29


Udhëheqësi palestinez Jaser Arafat doli sot nga selia e tij e rrethuar në Bregun Perëndimor, me gishtat lart si simbol i fitores pasi Izraeli tërhoqi forcat nga kompleksi i shkatëruar i selisë së tij. Izraeli i dha fund rrethimit të tij 11 ditësh të kompleksit të Ramallahut dje nën presionin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Megjithë atmosferën festive jashtë ndërtesës së vetme që ka mbetur më këmbë të kompleksit, zoti Arafat e quajti me zëmërim tërheqjen izraelite si “kozmetike”, duke thënë se Izraeli përpiqet të mashtrojë botën. Zoti Arafat kërkoi me këmbëngulje tërheqjen nga Ramallahu.

Trupat izraelite dhe tanket janë ende të stacionuara në një distancë prej 500 metrash nga selia e zotit Arafat, në pritje të 20 personave të dyshuar si terroristë, që Izraeli thotë se fshihen atje.

Në Uashington, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Bush mbeti i kënaqur nga tërheqja izraelite. Zëdhënësi i bëri thirrje përsëri Izraelit dhe palestinezëve që të përmbushin përgjegjësitë e tyre për të vendosur paqen dhe stabilitetin, si dhe për të kryer reformën palestineze në rajon.

Izraeli hyri në kompleksin e zotit Arafat më 19 shtator pasi dy sulmues vetvrasës vranë shtatë izraelitë dhe plagosën 60 të tjerë. Buldozerët e ushtrisë izraelite shembën çdo ndërtesë së kompleksit të Autoritetit Palestinez me përjashtim të zyrave të zotit Arafat.//ic//

XS
SM
MD
LG