Lidhje

Serbi: zgjedhjet presidenciale - 2002-09-29


Në Serbi po mbahen të djelën zgjedhjet presidenciale, të parat që kur sundimtari për një kohë të gjatë i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, u rrëzua para dy vjetësh nga pushteti.

6,5 milionë votues kanë të drejtë të votojnë dhe të zgjedhin kreun e ri të shtetit mes të 11 kandidatëve.

Dy kandidatët kryesorë, presidenti jugosllav, Vojisllav Koshtunica, dhe zëvendës-kryeministri, Dragoljub Labus, kanë bërë pjesë në aleancën kundër Millosheviçit dhe që të dy janë zotuar ta afrojnë Serbinë me Perëndimin.

Megjithëse asnjëri prej tyre nuk pritet të fitojë gjysmën e votave, përqindja e nevojshme për një fitore absulute, sondazhet tregojnë se të dy kandidatët do të kualifikohen për në balotazh. Zoti Koshtunica gëzon një mbështetje pak më të madhe.

Në qendër të zgjedhjeve është çështja në se Serbia duhet të përshpejtojë reformat e dhimbshme ekonomike, apo të frenojë ritmin e ndryshimeve në mënyrë që të zbuten dhimbjet sociale.

Zoti Labus është për reforma të shpejta për të rimëkëmbur ekonominë e Serbisë pas dekadash nën regjimin komunist dhe vitesh të izolimit ndërkombëtar. Ai mbështetet nga kryeministri serb, Zoran Gjingjiç, rival i vjetër i presidentit jugosllav, Vojisllav Koshtunica.

Zoti Koshtunica është në kërkim të një posti tjetër, pasi vendi i presidentit të Jugosllavisë pritet të suprimohet vitin që vjen, kur Serbia dhe Mali i Zi të miratojnë një kushtetutë të re në bazë të së cilës do të riorganizohet Federata Jugosllave në një bashkim më të lirshëm shtetesh.

Ai është në favor të reformave më të ngadalta dhe, gjatë fushatës, ka premtuar një qeveri të pakorruptuar.

Zgjedhjet e sotme po vëzhgohen nga OSBE-ja. Rezultatet e para jozyrtare priten disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 8 të darkës. //az

XS
SM
MD
LG