Lidhje

Shtetet e Bashkuara hedhin poshtë kritikat e Rusisë - 2002-09-30


Shtetet e Bashkuara hodhën poshtë kritikat e Rusisë ndaj sulmeve ajrore amerikane dhe britanike kundër Irakut, duke thënë se Iraku ka hapur zjarr kundër aeroplanëve aleatë, që patrullojnë zonën e ndaluar për fluturime, 67 herë gjatë 2 javëve të fundit.

Shtëpia e Bardhë vuri në dukje dje se hapja e zjarrit në mënyrë të vazhdueshme nga ana e Irakut kundër aeroplanëve amerikanë dhe britanikë tregon përbuzjen e Bagdadit ndaj komunitetit ndërkombëtar. Aeroplanët e vendeve aleate kanë patrulluar zonat në Irakun jugor dhe atë verior që prej vitit 1991 për të mbrojtur pakicat irakiane nga sulmet e forcave të Bagdadit.

Rusia tha se sulmet më të fundit ajore u kryen që të përkonin me bisedimet midis Irakut dhe Kombeve të Bashkuara në Vienë. Sipas Moskës, këto sulme dëmtojnë përpjekjet për arritjen e një zgjidhjeje politike. Iraku nuk i njeh zonat e ndalim fluturimit, për të cilat Këshilli i Sigurimit nuk ka miratuar ndonjë rezolutë.

Ndërkohë, Zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara, që u takuan në Vienë me autoritetet irakiane thanë se inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët po përgatiten të kthehen në Irak gjatë 2 javëve të ardhshme.

Zyrtarët e OKB-së thanë dje se inspektorët mund të nisen për në Bagdad nga mesi i muajit në rast se Këshilli i Sigurimit jep miratimin përfundimtar. Krye-inspektori i armëve Hans Blix, tha se gjatë bisedimeve të djeshme u sqaruan shumë çështje. Ai shtoi se shpreson që të bëhet më shumë përparim para përfundimit të bisedimeve sot.

Drejtori i Agjencisë së Energjisë Atomike tha se objektivi i takimeve është që inspektorët të kenë leje të pakufizuar për të bërë punën e tyre në Irak.//ze//

XS
SM
MD
LG