Lidhje

A është nafta, shtysa e debatit për Irakun? - 2002-09-30


Ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet një debat i nxehtë për Irakun dhe armët e tij të shkatërrimit në masë, pak po flitet për një çështje tjetër - për naftën irakiane dhe interesat e kompanive amerikane për këtë naftë. Disa ligjvënës dhe ekspertë mendojnë se nafta është forca shtytëse e politikës amerikane ndaj Irakut.

Ja si shprehet ligjvënësi demokrat Jim McDermott: ”Unë personalisht jam një ndër ata që mendojnë se ka një çështje tjetër shumë më të rëndësishme që duhet diskutuar”.

Dr. James Paul kryeson Forumin për Politika Globale në New York. Në një sesion të shkurtër para Kongresit ai tha se, nëse Shtetet e Bashkuara sulmojnë Irakun, kompanitë amerikane do të jenë të parat në listën e konkurenteve për naftën e Irakut:

”Dua të argumentoj këtu se kjo çështje është forca shtytëse e politikës amerikane ndaj Irakut”.

Por Dr. Wilfrid Kohl i Institutit për Politikën e Jashtme në Universitetin John Hopkins mendon se nafta renditet si çështja e tretë apo e katërt për nga rëndësia:

”Armët e shkatërrimit në masë, karakteri i paparashikueshëm i regjimit irakian si dhe lidhjet e tij me terrorizmin të cilat mund të shumëfishohen, këto janë çështjet parësore”, thotë Dr. Kohl.

Miriam Pemberton e Institutit për Studime Politike mendon se sulmi ndaj Irakut do ta largojë vëmendjen nga përpjekjet për asgjësimin e al Qaidës:

”Një sulm i tillë do të shërbente ndoshta si një shtytje e fuqishme për rekrutimin e terroristëve të rinj”.

Por të gjithë pohojnë se Iraku ka sasi të mëdha nafte: ”Në bazë të të gjitha statistikave, Iraku vlerësohet se ka sasi rezervash prej 112 presje 5 miliardë fuçi nafte. Kjo është rezerva më e madhe që dihet se ekziston në ndonjë vend të botës”, thotë Dr. James Paul.

Ekspertët mendojnë se kjo sasi rezervash mund të jetë deri në 200 miliardë fuçi, pasi në Irak nuk ka pasur shpime prej kohësh.

Pra rezervat e naftës ende janë të paprekura, ndërkohë që Rusia, Kina, Franca, Britania, India dhe vende të tjera po përpiqen të sigurojnë marrëveshje për nxjerrje nafte.

Për sa u përket Shteteve të Bashkuara, ligjvënësi Dennis Kucinich thekson rëndësinë që ka çështje e naftës në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin amerikan.

”Ndoshta duhet që makinat e votimit të kenë 4 butona: njëri të jetë për ’Po’ tjetri për ’Jo’, i treti për të treguar që je këtu dhe i katërti që thotë ”mbushma makinën me benzinë”, tha ligjvënësi. //kk//

XS
SM
MD
LG