Lidhje

Powell kërkon një rezolutë të fortë të OKB-së - 2002-10-02


Sekretari amerikan i Shtetit, Colin Powell, tha se inspektorët e Kombeve të Bashkuara për armët nuk duhet të kthehen në Irak përpara se Këshilli i Sigurimit të miratojë një rezolutë të re ku të kërkohet lëvizja e tyre pa pengesa dhe të parashikohen pasoja të ashpra nëse Iraku nuk i përmbahet asaj.

Duke folur në Uashington, sekretari Powell e bëri të qartë se marrëveshja e arritur dje në Vienë midis OKB-së dhe Irakut është e papranueshme.

Kryeinspektori i Kombeve të Bashkuara për armët, Hans Blix u tha gazetarëve në Vienë se inspektimet mund të rifillojnë pas dy javësh.

Zoti Powell nuk e kritikoi drejtpërdrejt zotin Blix. Por në një konferencë shtypi të thirrur me nxitim në Departamentin e Shtetit, ai e bëri të qartë se kthimi i inspektorëve duhet të shtyhet deri sa Këshilli i Sigurimit të mund të miratojë një rezolutë të re, ku të garantohet se Iraku do të heqë dorë nga armët e shkatërrimit në masë ose përndryshe do të ketë pasoja.

Ne nuk do të kënaqemi me gjysmë të vërtetat irakiane, me një kompromis të Irakut, ose me përpjekjet e tij për të na zhytur në të njëjtën kënetë siç bëri me Kombet e Bashkuara në vitin 1998, tha sekretari i shtetit.

Administrata e Presidentit Bush po punon me Britaninë në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë të re ku të riformulohen rregullat e vjetra të inspektimit, të cilat veç të tjerat, përjashtonin të ashtuquajturit objekte presidenciale nga kontrolli.

Zoti Powell tha se në bisedime është arritur një farë përparimi dhe se midis anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ekziston mirëkuptimi se nuk duhet të ketë kthim në sistemin e mëparshëm të inspektimeve i cili toleronte sfidat që Iraku u bënte Kombeve të Bashkuara. /ii

XS
SM
MD
LG