Lidhje

Berisha: banorët duhet të dëmshpërblehen plotësisht - 2002-10-02


Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha tha të mërkurën se qytetarëve të dëmtuar nga incidenti i Liqentit Artificial, u takon përkrahje dhe dëmshpërblim i plotë, në bazë të ligjeve të miratuara nga parlamenti i Shqipërisë.

Në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës, ai kritikoi qëndrimin që kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama kishte mbajtur gjatë një takimi me qytetarët e dëmtuar nga incidenti në Liqenin Artificial në Tiranë, ku siç tha zoti Berisha, zoti Rama i trajtoi të dëmtuarit si fajtorë.

Ai përsëriti kërkesën për shkarkimin e zotit Rama dhe tha se në bazë të dosjeve dhe dokumentave origjinale, kryetari i bashkisë Edi Rama është një nga figurat kryesore të korrupsionit në Shqipëri.

Zoti Berisha, i cili ka kritikuar qeverinë lidhur me mënyrën e trajtimit të gjendjes së vështirë pas përmbytjeve, tha se qeveria duhet të marrë masa urgjente për rregullimin e dëmeve dhe për të dëmshpërblyer qytetarët.

Ai tha se për rregullimin e digave dhe argjinaturave të lumenjve duhet të angazhohen forcat e ushtrisë dhe policisë.

Lidhur me marrëveshjen me zotin Nano, zoti Berisha pranoi se ka patur disa ndryshime pozitive në procesin e reformave por shtoi se ato duhet të shërbejnë si premisa për ndryshime të tjera.

Ai tha se ka patur ngadalësi dhe plogështi të pajustifikueshme në disa drejtime.

Zoti Berisha vlerësoi masat që u morën për Shërbimin Informativ Kombëtar, duke patur parasysh largimin e Fatos Klosit nga kreu i këtij institucioni, por tha se nuk po veprohet me ritmin e duhur edhe në institucione të tjera.

Ai tha se prokuroria ka filluar të veprojë dhe e përgëzoi atë, por tha se nuk duhet të ndalet në raste si ai i zv/guvernatorit të bankës dhe shtoi se dihet që është guvernatori ai që i ka bërë shkeljet.

Zoti Berisha nuk pranoi që opozita nuk ekziston më dhe tha se ajo është një faktor përcaktues në ndryshimet e vendit. Kryetari i Partisë Demokratike tha se forcimi i parlamentarizmit, i shtetit ligjor dhe integrimi euroatlantik i Shqipërisë, kanë qenë gjithmonë objektivat e PD-së, qoftë nëse ajo është në pushtet, apo opozitë.//kk//

XS
SM
MD
LG