Lidhje

Kalendari Historik 11 tetor - 2002-10-04


Më 11 tetor të vitit 1946, presidenti Harry Truman, e shpalli 11 tetorin, Ditën e Pulaskit, në Shtetet e Bashkuara. Zoti Truman tha se Shtetet e Bashkuara do të nderonin ndihmesën që kishte dhënë për Revolucionin Amerikan, fisniku polak, konti Kazimir Pulaski. Konti Pulaski vdiq në tetor të vitit 1779, kur i printe një njësie të kalorësisë, që quhej Legjioni Pulaski, gjatë rrethimit të qytetit Savana në shtetin Georgia. Konti Pulski ishte mërguar nga vendi i tij i lindjes, Polonia, për shkak të rolit që kishte luajtur në kryengritjen nacionaliste kundër Rusisë Perandorake. Si edhe disa fisnikë të tjerë të rinj evropianë të asaj periudhe, ai erdhi në Amerikë, për të ndihmuar kolonitë amerikane në luftën e tyre për pavarësi nga Anglia. Veç vlerësimit të lartë zyrtar në shkallë kombëtare, fisniku polak nderohet në shumë shtete dhe në shumë mënyra në Shtetet e Bashkuara.

Më 11 tetor 1868, shpikësi amerikan, Thomas Alva Edison, bëri kërkesë zyrtare për patentën e tij të parë. Kërkesa ishte për një regjistrues automatik të votave që zoti Edison kishte projektuar në mënyrë të posaçme për Dhomën e përfaqësuesve. Pajisja ishte në gjendje që disa minuta pasi ishte bërë votimi, të jepte listën e plotë që tregonte se si kishin votuar anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve. Megjithatë anëtarët skeptikë të Dhomës nuk e mirëpritën shpikjen, duke thënë se ajo do të ndryshonte procedurën e tyre tradicionale. Veç kësaj disa kongresmenë nuk donin që zgjedhësit e tyre të dinin gjithmonë se si do të votonin ata. Zoti Edison i kuptoi problemet e tyre dhe vendosi që pas kësaj t’ua kushtonte përpjekjet e tij vetëm atyre gjërave për të cilat kishte kërkesë të sinqertë. Sot numërimi automatik i votave është normë për gjithë legjislaturat në botë. Gjatë jetës së tij, Tomas Edisoni mori më se një mijë patenta për shpikjet e tij. Ndërmjet tyre janë patenta për llampën elektrike, për një sistem të shpërndarjes së energjisë elektrike, për projektorin kinematografik dhe për fonografin. //rd//

XS
SM
MD
LG