Lidhje

SHBA mirëpresin deklaratën e zj. Pllavshiç - 2002-10-04


Deklarata e ish-udhëheqëses së serbëve të Bosnjes, Biljana Pllavshiç për pranimin e fajësisë po i bën Shtetet e Bashkuara të shpresojnë se kjo do të inkurajojë edhe persona të tjerë që të pranojnë përgjegjësinë për krimet e lufte. Dy ish udhëheqësit e tjerë të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, të cilët akuzohen për krime lufte, ende nuk janë arrestuar.

Diplomatët amerikanë shpresojnë se pranimi i papritur i fajësisë nga zonja Plavsic do t’i japë një shtytje punës së Gjykatës së Hagës dhe do të shpejtojë dorëzimin e ish-udhëheqësve të tjerë të serbëve të Bosnjes të cilët mbahen përgjegjës për vdekjen e mijëra civilëve gjatë viteve 1992 dhe 1995.

72-vjeçarja Plavsic pranoi se është fajtore për krime kundër njerëzimit. Ajo arriti një marrëveshje me prokurorët, sipas së cilës, disa akuza të tjera ndaj saj për krime lufte, duke përfshirë edhe akuzën për gjenocid, u hoqën.

Avokatët e saj thonë se duke pranuar përgjegjësinë për krimet dhe duke shprehur pendim, zonja Plavsiç synonte të ngushëllonte disi viktimat e luftës së Bosnjes, myslimanë, kroatë dhe serbë.

Ish-udhëheqësja serbe e Bosnjes e pranoi fajësinë nëpërmjet një videokonference nga një rajon i Ballkanit, ku ajo është liruar me kusht, deri në shpalljen e dënimit, që mund të jetë burgim i përjetshëm.

Në një konferencë shtypi në Departamentin amerikan të Shtetit, zëdhënësi Richard Boucher e mirëpriti pranimin e fajësisë, i pari që bëhet nga një ish-udhëheqës i një vendi ballkanik. Ai tha se shpreson që deklarata e saj e pendimit do të ndihmojë procesin e ripajtimit të pas-luftës.

Zoti Boucher tha se shembulli i saj duhet të ndiqet edhe nga të tjerë, midis të cilëve paraardhësi i saj, ish presidenti i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç dhe shefi i tij ushtarak Ratko Mlladiç-të dy figurat më famëkeqe të akuzuara për krime lufte, që vazhdojnë të enden të lirë. ”Shpresojmë që ftesa e saj, në deklaratën me shkrim ndaj udhëheqësve të tjerë të kohës së luftës për të rishikuar vetveten dhe sjelljen e tyre do të dëgjohet mirë dhe kudo në ish Jugosllavi dhe do t’i nxisë ata që kanë kryer krime lufte, që ashtu si ajo të pranojnë përgjegjësinë e tyre. Ne u bëjmë thirrje personave të akuzuar për krime lufte, të cilët i fshihen drejtësisë, sidomos njerëz të tillë, si Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlaldiç, të ndjekin shembullin e zonjës Plavsiç dhe të dorëzohen vullnetarisht në Gjykatën e Hagës,” tha zëdhënësi Boucher.

Dy ish udhëheqësit mendohet se fshihen në një zonë të Bosnjes të kontrolluar nga serbët dhe u kanë shpëtuar përpjekjeve të policisë së Kombeve të Bashkuara dhe forcës paqeruajtëse të NATO-s për t’i arrestuar.

Natoja është kritikuar shpesh se nuk ka arritur t’i kapë ata, megjithëse zëdhënësi Boucher tha se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera që kanë forca në rajon, si dhe qeveritë e vendeve ballkanike, janë të vendosur t’i ndjekin dy ish udhëheqësit dhe sipas fjalëve të tij,”synojnë t’i kapin ata”.

Zoti Boucher tha se puna e Gjykatës së Hagës, e cila tani po merret kryesisht me gjyqin ndaj ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, ka ecur me ritme më të shpejta gjatë muajve të fundit.

Ai tha se megjithëse 23 persona të akuzuar për krime lufte vazhdojnë të jenë të lirë, rreth 90 të tjerë, ose kanë kaluar nëpër gjykatë, ose pritet të gjykohen. Deri tani Gjykata e Hagës ka dënuar 28 persona nën akuzat për krime lufte./ii

XS
SM
MD
LG