Lidhje

Kalendari Historik 10 tetor - 2002-10-04


Më 10 tetor 1858 një karrocë e tërhequr me kuaj mbërriti në qytetin Saint Louis të shtetit Missouri, duke sjellë postën nga qyteti San Francisko i Kalifornisë. Ishte hera e parë që posta transportohej me rrugë tokësore duke kaluar përmes disa shteteve amerikane. Karroca sillte disa qindra kilogramë letra dhe pako të vogla, të mbledhura gjatë një udhëtimi 22 ditësh, nëpër shtete të tilla si Kalifornia, Arizona, New Meksiko, Teksas dhe Arkansas. Duke udhëtuar nëpër rrugën e parë tokësore të shërbimit postar, të miratuar nga qeveria, ndërmjet Lumit Misisipi dhe brigjeve të Paqësorit, kompania e shërbimit postar ndihmoi në forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve dhe territoreve të Perëndimit dhe të Lindjes. Më parë posta nga brigjet perëndimore të vendit transportohej me anije, duke i rënë rrotull Amerikës së Jugut. Kjo bënte që letrat dhe pakot postale të mbërrinin në destinacion pas disa muajsh. Transporti me karrocë bënte të mundur që posta të mbërrinte në destinacion brenda disa javësh.

Më 10 tetor 1973, Spiro Agnju dha dorëheqjen me turp nga posti i nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara. Ai nuk i kundërshtoi akuzat, sipas të cilave ai kishte marrë 85 mijë dollarë ryshfet nga kompanitë e ndërtimit të autostradave, në shtetin e tij të lindjes, Maryland. Nga dokumentet ligjore të Departamentit të Drejtësisë dilte se zoti Agnju kishte filluar të merrte ryshfet, që kur kishte qenë zyrtar i pushtetit lokal dhe më vonë kur kishte qenë guvernator i shtetit të tij. Departamenti i Drejtësisë vinte në dukje se ai kishte vazhduar të merrte ryshfet edhe pasi ishte zgjedhur nënpresident i Shteteve të Bashkuara. Departamenti i Drejtësisë e akuzonte gjithashtu zotin Agnju se nuk kishte paguar taksa për ryshfetet që kishte marrë. Në fillim zoti Agnju kishte në plan t’i kundërshtonte akuzat dhe të mos jepte dorëheqjen nga detyra. Por kur u paraqit para gjykatës federale për të kundërshtuar akuzat, ai përdori termin ligjor, “nolo contendere”, që donte të thoshte se ai nuk do t’i kundërshtonte akuzat. Gjykatësi tha se do t’i interpretonte fjalët e zotit Agnju si pranim të fajit. Nënpresidenti pranoi gjithashtu të jepte dorëheqjen, për të shmangur daljen para gjyqit dhe ndoshta dënimin me burg. //rd//

XS
SM
MD
LG