Lidhje

Shqipëri: PS-ja kërkon konsensus të gjerë për ndryshime kushtetuese - 2002-10-07


Kryetari i Partisë Socialiste dhe kryeministri Fatos Nano shprehu të hënën gadishmërinë e partisë së tij që në valën e reformimit të ligjeve zgjedhore të angazhohet edhe për ndryshime të mundshme në Kushtetutën e vendit.

Zoti Nano tha gjatë njërit prej fjalimeve të tij më të rëndësishme në Komitetin e Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste se reforma zgjedhore duhet kryer përmes një konsensusi sa më të gjerë mes faktorëve politikë, në mënyrë që të shmangen kundërshtimet tradicionale mbi zgjedhjet dhe të respektohet vota e qytetarëve.

“PSSH vlerëson se ndryshimet kushtetuese, nëse do të ketë një konsensus të gjerë për t’i kryer, duhet të përfshijnë të gjitha defektet apo vakuumet institucionale të konstatuara në funksionimin e Kushtetutës gjatë gati katër viteve të zbatimit të saj” - deklaroi ai.

Zoti Nano tha se reforma zgjedhore nuk mund të mbetet një detyrë vetëm e komisionit dypalësh pozitë - opozitë, por nevojitet përfshirja e forumeve përfaqësuese të politikës.

“Në sistemin aktual kushtetues të zgjedhjeve, PSSH është e hapur për çdo lloj ndryshimi që përmirëson institucionet zgjedhore, administrimin e procesit zgjedhor dhe zgjidhjet e kontesteve të procesit nga sistemi gjyqësor” - tha zoti Nano.

Kryetari i PS la të kuptohet se është në favor të rritjes së përqindjes për hyrjen e partive në parlament, në mënyrë që aty të përfaqësohen “faktorë të vërtetë politikë” dhe jo pseudofaktorë pa ndikim në jetën e vendit.

“Ne mendojmë se reforma zgjedhore - theksoi ai - duhet t’i shërbejë përfaqësimit në parlament të faktorëve të vërtetë të progresit europianizues të vendit dhe jo pseudofaktorëve që prej dhjetë vjetësh sorollaten si figurantë diletantë në skenën politike shqiptare”.

Zoti Nano vlerësoi angazhimin e Presidentit Moisiu në bisedimet me forcat politike, duke nxitur debatet për ndryshime ligjore në procesin zgjedhor. Ai tha se Presidenti po sjell kështu një frymë bashkëpunimi konstruktiv mes partive politike, që më parë ka munguar.

Reformimi i sistemit zgjedhor është një nga kërkesat kryesore të OSBE-së dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, përfshirë në raportet dhe rekomandimet e tyre pas zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën në pesë raunde qershorin e vitit të kaluar.

OSBE-ja kërkoi që forcat politike të studionin bashkarisht në një komision ekspertësh defektet ligjore dhe shkeljet e parregullsitë e zgjedhjeve të kaluara dhe mbi bazën e tyre të propozojnë përmirësime në ligjet e vendit.//kk//

XS
SM
MD
LG