Lidhje

Shtëpia e Bardhë: Raporti i CIA-s nuk dëmton politikën e saj ndaj Irakut - 2002-10-09


Administrata e presidentit Bush thotë se politika e saj ndaj Irakut nuk është dëmtuar nga raporti i ri i CIA-s ku thuhet se nuk ka të ngjarë që Iraku të kryejë një sulm terrorist kundër Shteteve të Bashkuara nëse nuk bëhet vetë më parë objekt sulmi.

Sipas konkluzioneve të CIA-s, të cilat u bënë të njohura në një seancë me pyetje përgjigje zhvilluar dje në Kongres, duket se udhëheqësi irakian po përmbahet dhe nuk synon të ndërmarrë ndonjë sulm terrorist me armë të zakonshme apo kimike ose biologjike.

Megjithatë, në një letër të drejtorit të CIA-s George Tenet thuhet se Sadam Huseini do të ishte shumë më i papërmbajtur nëse ndodhet përballë një sulmi të Shteteve të Bashkuara dhe mund të përdorë armë të shkatërrimit në masë në shenjë hakmarrjeje për të shkaktuar një numër sa më të madh viktimash.

Letra u bë publike së bashku me dëshminë e dhënë gjatë një seance të mëparshme me pyetje-përgjigje në Kongres, kur një zyrtar i lartë i zbulimit tha se mundësia që Iraku të hidhet i pari në sulm në një të ardhme të afërt është e vogël.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleischer tha se presidenti Bush është i një mendjeje me përfundimet e CIA-s dhe shton se këto përfundime nuk i kundërvihen trysnisë së presidentit për veprime parandaluese kundër Irakut. Zoti Fleischer tha se CIA mendon që me shtimin e arsenalit të armëve të Sadam Huseinit, rritet edhe mundësia që ai të përdorë armë të shkatërrimit në masë për shantazh.

Zoti Fleischer tha se i vetmi person që e di me siguri nëse Iraku do të përdorë armë të shkatërrimit në masë është Sadam Huseini.

“Presidenti po thekson idenë se çdo gjë do të varet nga vendimet e Sadam Huseinit; pra duhet t’i besojmë Sadam Huseinit që të mos përdorë armët që zotëron. Një tjetër këndvështrim mbi këtë çështje është të gjykojmë gjithshka në kontekstin e atyre që kanë ndodhur: Cili ishte probabiliteti që Sadam Huseini të sulmonte Iranin, të pushtonte Kuvajtin dhe të përdorte armë kimike kundër popullit të tij? Ai i bëri të gjitha këto. Disa gjëra janë bërë të qarta nga historia. Ne duhet të nxjerrim mësime nga këto ngjarje që të mos bëjmë gabime në mbrojtjen e popullit amerikan në të ardhmen,” tha zëdhënësi Fleischer.

Zoti Fleischer tha se hamendjet lidhur me mundësinë e një sulmi irakian janë vlerësimi më i saktë i asaj që presidenti e ka cilësuar si një rrezik serioz dhe në rritje nga Iraku.

Kongresi po debaton një rezolutë që do t’i jepte presidentit autoritetin për të përdorur forcën në Irak nëse ai arrin në përfundimin se vetëm diplomacia nuk mjafton për të larguar kërcënimin irakian.

Në fjalimin e tij të së hënës, ku parashtroi argumentet për veprime parandaluese ndaj Irakut, presidenti Bush tha se e di që Sadam Huseini ka armë të rrezikshme, prandaj përse duhet që bota të presë që ai të fuqizohet para se t’i kundërvihet atij. //AD//

XS
SM
MD
LG