Lidhje

Kongresi debaton projekt-rezolutën mbi Irakun - 2002-10-09


Kongresi amerikan vazhdon të mërkurën, 9 tetor, debatin mbi projekt-rezolutën për të autorizuar përdorimin e forcës kundër Irakut. Disa demokratë thonë se ende ngurrojnë ti japin presidentit autoritetin për të vepruar pa mbështetjen e Kombeve të Bashkuara. Por disa nga anëtarët me peshë të Kongresit parashikojnë që Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve ta miratojnë rezolutën brenda kësaj jave. Presidenti Bush theksoi të martën se alternativa ushtarake është alternativa e tij e fundit, por shtoi se ushtria duhet të jetë e përgatitur.

Pas fjalimit që mbajti në qytetin e Cincinatit, Presidenti Bush foli të martën, më 8 tetor, në një tubim në Knoxville të shtetit Tenessee mbi ato që ai i quajti mashtrime dhe gënjeshtra të presidentit irakian Sadam Husein:

“Ai i deklaroi botës haptazi se nuk do të kishte armë kimike apo biologjike dhe nuk do të përpiqej të shtinte në dorë armë bërthamore,” tha Presidenti Bush.

Ndërkohë si Senati amerikan ashtu edhe Dhoma e Përfaqësuesve vazhdojnë debatit për t’i dhënë apo jo presidentit Bush autoritetin për të përdorur forcën, nëse është e nevojshme për çarmatosjen e Sadam Huseinit. Senatori demokrat Robert Byrd tha se rezoluta do t’i jepte presidentit autoritetin... “t’i përdorë forcat ushtarake kur të dojë -- si të dojë -- dhe ku të dojë -- për sa kohë që kërcënimi ka lidhje me Irakun.”

Senatori demokrat Joseph Liberman tha se duhet gjetur një baraspeshë:

“Të veprojmë tani apo më vonë me një kosto shumë më të madhe gjaku dhe fondesh,” tha senatori.

Ndërkaq, ligjvënësi Jim McGovern tha se ka biseduar me veteranë, studentë, drejtues biznesesh:

“Ata e urrejnë Sadamin dhe pohojnë, ashtu si unë se ai është një diktator mizor. Por nuk mendojnë se duhet të veprojmë të vetëm,” tha ligjvënësi McGovern.

Ligjvënësi Dennis Kucinich bëri një panoramë të vendeve të ndryshme duke thënë se 17 vende kanë armë bërthamore -- 20 kanë ose përpiqen të sigurojnë armë biologjike, 26 kanë ose përpiqen të sigurojnë armë kimike:

“16 vende kanë raketa ose përpiqen të sigurojnë raketa. A duhet që papritmas t’i shpallim luftë botës?” pyeti ligjvënësi Dennis Kucinich.

Por presidenti Bush tha se autorizimi nga Kongresi i një goditjeje ushtarake nuk nënkupton se veprimet ushtarake janë të afërta apo të pashmangshme. Ai tha se mesazhi i tij dhe mesazhi i Kongresit nga të dyja partitë, drejtuar Kombeve të Bashkuara... “do të jetë, për hir të paqes, e theksoj për hir të paqes, se nëse nuk duan të merren me këtë njeri, Shtetet e Bashkuara do të vihen në krye të një koalicioni për çarmatimin e tij. Për hir të paqes,” tha presidenti.

Debati në Kongres do të vazhdojë edhe të enjten. //AD//

XS
SM
MD
LG