Lidhje

Ndjekje masive për snajperin në zonën e Uashingtonit - 2002-10-11


Një ndjekje masive po vazhdon në Uashington, ku policitë federale dhe shtetërore po përpiqen të gjejnë një vrasës ose disa vrasës, goditjet me precizion snajperi të të cilëve kanë terrorizuar zonën metropolitane.

Incidenti i fundit ndodhi dje, kur një burrë u vra në Virginia, kur po mbushte makinën me benzinë në një pikë karburanti. Policia mbylli një autostradë kryesore që shkon nga veriu në jug përgjatë brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, për të kontrolluar çdo automjet, pasi siç raportuan dëshmitarët okulatë, një mikrobuz i bardhë u largua me shpejtësi nga skena e ngjarjes.

Policia thotë se praktikisht çdo kush që nget mikrobuz të bardhë ka të ngjarë të ndalet për t’u pyetur. Zyrtarët thonë se ky incident nuk mund të lidhet ende zyrtarisht me sulmet e snajperit në zonën e Washingtonit, gjatë 10 ditëve të fundit pa përfunduar analizat balistike që priten sot.

Por vrasja e fundit ka karakteristikat e goditjeve të mëparëshme, një plumb i vetëm, i qëlluar nga një distancë e largët kundër një njeriu të zakonshëm. 7 vetë janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, duke përfshirë edhe një djalë shkolle, i cili vazhdon të jetë i shtruar në spital.

Shumica e sulmeve kanë ndodhur në Maryland, një në Uashington dhe tre në Virginia. Këto vrasje e kanë traumatizuar zonën e Uashingtonit, duke i detyruar banorët të ndryshojnë rutinën e përditëshme. Shkollat në një zonë të gjerë përreth Uashingtonit kanë kufizuar së tepërmi aktivitetet në oborr.

Sipas zëdhënësit të tij, Presidenti Bush i ka vënë të gjitha burimet federale në dispozicion të hetimeve dhe tani po informohet në hollësi çdo ditë. Presidenti nuk ka bërë deri tani asnjë koment publik, por zonja e parë, Laura Bush, u ka shprehur ngushëllimet e saj familjeve të viktimave.

Çmimi për informacione që do të çonin në arrestimin e vrasësit ka mbërritur në 330 mijë dollarë. Policia thotë se linjat telefonike të urgjencës që janë vënë në disapozicion të publikut për të dhënë informacin kanë qënë të mbingarkuara nga telefonatat e shumta të banorëve.//ic//

XS
SM
MD
LG