Lidhje

Bolton: Duhen forcuar rregullat mbi eksportet - 2002-10-12


Sulmet terroriste kundër Shteteve të Bashkuara më 11 shtator 2001, e bënë botën të ndërgjegjëshme për rrezikun që përbëjnë grupet terroriste dhe vendet që i ndihmojnë ato. Siç tha nën sekretari amerikan i Shtetit për Kontrollin e Armatimeve dhe Sigurimin Ndërkombëtar, John Bolton, “kërcënimi më i madh vjen nga shtetet e papërgjegjëshme dhe grupet terroriste ndërkombëtare që nuk njohin kufij në përdorimin e armëve dhe nuk sprapsen para mjeteve konvencionale. Nuk ka asnjë dyshim”, tha zoti Bolton, se “grupet terroriste si al-Qaida nuk hezitojnë të përdorin sëmundjen si armë, të përhapin agjentë kimikë ose të dërgojnë atentatorë vetvrasës të armatosur me eksploziv radioaktiv në misione vrasjesh”.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të interesuara janë duke vënë në zbatim mjete nga më të ndryshmet për të garantuar se grupet terroriste dhe shtetet që i mbështesin ato të mos kenë mundësi të shtien në dorë armë kimike, biologjike e bërthamore, apo raketat për t’i hedhur ato. Një nga mënyrat është kontrolli i ekspotit. Siç tha zoti Bolton në një konferencë në Poloni, “një sistem i fortë kontrolli për eksportet, i zbatuar siç duhet, mund të pengojë përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, sistemet e shpërndarjes së tyre, artikuj me përdorime të dyfishta, dhe armë të avancuara konvencionale”. Zoti Bolton tha se çdo vend duhet të miratojë rregulla të rrepta për kontrollin e eksporteve dhe të bashkëpunojë me vendet e tjera për t’i vënë ato në zbatim.

Shtetet që po përpiqen në mënyrë agresive të shtien në dorë armë të shkatërrimit në masë janë Irani, Iraku dhe Korea e Veriut, të ndjekura nga Libia dhe Siria. “Nuk është e rastit”, tha zoti Bolton, “se këto shtete, janë ndërmjet atyre për të cilat Shtetet e Bashkuara thonë se mbështesin terrorizmin”.

Këto regjime po shtojnë bashkëpunimin mes tyre. Ato vende që janë në gjendje t’i shtien në dorë armë të tilla, bëhen njëkohësisht edhe furnizues të këtyre armëve. Këto regjime mbështeten gjithashtu në një masë të ndjeshme në kompanitë që i prodhojnë ato, në tregtarët e armëve për t’i gjetur, në pajisjet, teknologjinë sensitive dhe në artikujt me funksion të dyfishtë. Kompanitë prodhuese kanë ekspertizën e duhur për të përcaktuar nëse pajisjet dhe teknologjitë përdoren për qëllime civile apo për të prodhuar armë. Për të parandaluar që këto pajisje dhe teknologji të bien në duar të elementëve negativë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur rregulla të rrepta në industrinë e tyre.

Shtetet e Bashkuara po i “inkurajojnë vendet e gjithë botës të miratojnë rregulla për kontrollin e eksporteve, që përputhen me standarded ndërkombëtare, të ndjekin procedura dhe praktika efektive për liçensimin dhe t’i mbështesin ato me mekanizma të afta të ruajtjes së rendit”. Siç u tha nënsekretari Bolton partnerëve të tij në konferencën e Varshavës, “pengimi i qëllimeve të shteteve të papërgjegjëshme dhe grupeve terroriste për të shtënë në dorë armë të ndaluara, do të kërkojë vendosmërinë dhe burimet e të gjitha vendeve. Meqë pasojat e mosveprimit janë kaq të mëdha, ne thjesht nuk mund të lejojmë hallka të dobëta në zinxhirin e kontrollit të eksporteve tona të përbashkëta.//ic//

XS
SM
MD
LG