Lidhje

Akt terrorist në Indonezi - 2002-10-13


Shefi i policisë së Indonezisë tha se dyshon se shpërthimet e mbrëmshme në ishullin turistik Bali, ku u vranë të paktën 150 vetë dhe u shkatërruan dy klube nate është vepër e terroristëve. Ndërkohë që u largua nga Xhakarta për në Bali, gjeneral Dai Bachtiar tha se ky sulm duket se është akti më i rëndë terrorist në historinë e Indonezisë.

Më parë, ministri i Jashtëm i Australisë, Alexander Downer, tha gjithashtu se shpërthimet duket se përbëjnë një sulm të bashkërenduar terrorist. Në një intervistë me televizionin australian, zoti Downer tha se nuk ka prova, por Australia ka qënë e shqetësur prej kohësh për organizatat terroriste në Indonezi.

Policia thotë se një nga shpërthimet besohet të ketë qënë një makinë bombë. Ky shpërthim u dëgjua rreth 12 kilometra larg. Autoritetet thonë se presin që shumica e viktimave të kenë qënë të huaj nga Australia dhe Britania e Madhe, që frekuentojnë klubet e natës aq popullore për turistët. Por policia thotë se shumë nga trupat janë djegur shumë keq saqë është vështirë të identifikohen.

Zjarrfikësit po luftojnë me zjarrin e madh të shkaktuar nga shpërthimet. Ata thonë se numri i përgjithshëm i të vdekurve pritet të ngrihet, kur të gjenden trupa të tjera nën rënoja.

Deri tani askush nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin por policia thotë se ka marrë informata dhe është vënë në ndjekje të personave të dyshuar. Policia bëri të ditur se një nga shpërthimet ndodhi në afërsi të konsullatës amerikane në Denpasar, kryeqyteti i ishullit Bali, por nuk është njoftuar për viktima në konsullatë.//ic//

XS
SM
MD
LG