Lidhje

Maqedoni: komente kontradiktore për ”Luanët” - 2002-10-13


Komandanti i njësisë speciale të policisë në Maqedoni ”Luanët”, thotë se shpërbërja e saj, për të cilën zyrtarët ndërkombëtarë janë shprehur se nuk i shërben procesit të demokratizimit të vendit. Ndërkohë presidenti maqedonas, Boris Trajkovski, e ka kritikuar procedurën e formimit të kësaj njësie nga qeveria e kryeministrit Lupço Georgievskit duke thënë se, pas përmirësimit të gjendjes së sigurisë në Maqedoni, kjo njësi duhet të transformohet.

Gjenerali Stojkov e hodhi poshtë këtë fundjavë mundësinë për shpërbërjen e kësaj njësie. Ai tha se nuk ka nevojë që ajo të shkrihet. Në një intervistë për median vendore në Shkup ai tha se pjesëtarët e ”Luanëve” janë profesionistë dhe të stërvitur mirë. Nëse është e nevojshme, u shpreh gjeneral Stojkov, ata mund të ndahen në dy grupe të mëdha: në njësinë anti-terroriste dhe në policinë kufitare.

Komandanti i ”Luanëve” mohoi që anëtarë të kësaj njësie të jenë me dosje kriminale. Gjeneral Stojkov shtoi se do ta linte vendin e komandantit të kësaj njësie, nëse mendohet se ai vetë nuk i kryen detyrat me profesionalizëm.

Presidenti maqedonas, Boris Trajkovski, e kritikoi këtë fundjavë procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të kësaj njësie, duke thënë se ai kishte pasur dilema të veçanta në lidhje me personat që u futën në këtë njësi dhe mënyrën sesi u pranuan ata.

Presidenti tha se qeveria e zotit Georgievski, duhet të kishte shpallur konkurs për përbërjen e ”Luanëve” dhe të kishte dhënë vendime të përhershme pune për të përzgjedhurit.

Zoti Trajkovski e mbështeti idenë e transformimit të kësaj njësie, të krijuar nga qeveria gjatë konfliktit të armatosur të vitit të kaluar, duke thënë se një pjesë e tyre mund të kalojnë në struktura të veçanta të sigurimit, si në njësinë speciale ”Tigrat”, një pjesë në brigadën kufitare, e cila është në formim e sipër, dhe të tjerët, që nuk përmbushin kriteret ligjore, të rikthehen në jetën shoqërore.

Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht shpërbërjen e kësaj njësie, për të cilën ka pasur shumë kritika edhe brenda Maqedonisë. Zyrtarë të lartë amerikanë në Shkup kanë theksuar se qëndrimi i Shteteve të Bashkuara është që kjo njësi të shpërbëhet dhe se do të duhet të bisedohet me komunitetin ndërkombëtar se çfarë lloj forcash speciale do t’i duhen Maqedonisë në raste krize.

Ambasadori amerikan në NATO, Nicholas Burns, është shprehur se ”Luanët” duhet të shpërbëhen, sepse nuk i shërbejnë procesit demokratik. Ministria e brendshme e Maqedonisë, e cila drejtohet ende nga Lube Boshkovski, i njohur si përkrahës i vijës së ashpër, i ka kritikuar pa rezerva këto deklarata, duke thënë se Maqedonia nuk është protektorat dhe se për ekzistencën e njësive të tilla duhet të vendosin institucionet e ligjshme të vendit.

E ardhmja e kësaj njësie do të varet tani nga qeveria e re, përbërja e së cilës pritet të bëhet e ditur deri nga e mërkura e ardhshme. //az//

XS
SM
MD
LG