Lidhje

Që nga 11 shtatori, përparime të mëdha në bllokimin e financimeve për terrorizmin - 2002-10-13


Që nga sulmet terroriste në Qendrën Botërore të Tregëtisë dhe Pentagon më 11 shtator 2001 Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë bërë përparim të madh për të ndaluar financimin e terrorizmit ndërkombëtar.

Dhjetra vende kanë marrë masa dhe kanë bllokuar gati 100 milionë dollarë fonde të terroristëve. Siç tha nënsekretari i shtetit për ekonominë, biznesin dhe bujqësinë, Alan Larson “sot terrroristët e kanë më të vështirë të sigurojnë dhe të qarkullojnë paratë. Shumë nga ata që jepnin mbështetje financiare për terroristët, nuk po japin më. Disa janë arrestuar dhe kapur. Sistemi bankar ndërkombëtar nuk është më një sistem që terroristët mund ta përdorin me siguri”.

Pas sulmeve të 11 shtatorit, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi dy rezoluta që i detyronin vendet anëtare të ndalonin financimin e terroristëve. Bashkimi Evropian ka punuar nga afër me Shtetet e Bashkuara për të siguruar që gati çdo individ apo grup i cilësuar si terrorist nga Shtetet e Bashkuara, të cilësohet i tillë edhe nga Bashkimi Evropian.

Holanda ndërmorri veprime kohët e fundit për të kapur pasuritë financiare të grupi terrorist Ushtria e Popullit të Ri në Filipine. Më 29 gusht Italia u bashkua me Shtetet e Bashkuara për t’i paraqitur OKB-së emrat e 25 individëve dhe kompanive të lidhura me al-Qaidën në mënyrë që pasuritë e tyre të bllokohen në mbarë botën.

Grupi i Tetëshes, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Rusia janë të vendosura për një numër masash për të kapur pasuritë e terroristëve. Grupi për Bashkëpunimin Ekonomik të Azi-Paqësorit ose APEC ka miratuar një plan veprimi kundër financave të terroristëve. Shtetet e Bashkuara kohët e fundit së bashku me Kirgistanin, Afganistanin dhe Kinën përfshijnë Lëvizjen Islamike të Turkistanit Lindor në listën e personave dhe organizatave të lidhura me al-Qaidën.

Përparim është bërë. Por edhe sfidat nuk janë të vogla, siç është për shembull bllokimi i kanaleve jo-zyrtare të qarkullimit të parave, si dhe shfrytëzimi i organizatave bamirëse nga grupet terroriste dhe mbështetësit e tyre. Siç tha nënsekretari Larson, “amerikanët kanë respekt të madh për organizatat që grumbullojnë fonde dhe ofrojnë shërbime për qëllime bamirësie. Megjithatë nuk mund të lejojmë që kontributet financiare që jepen për të përmirësuar jetën e njerëzve të varfër, të ndryshojnë drejtim dhe të shkojnë për aktivitete që marrin jetë njerëzish të pafajshëm. Terroristëve iu është dashur shumë vjet për të krijuar rrjetet financiare që i mbështesin. Shkatërrimi i këtyre rrjeteve do të dojë kohë dhe përpjekje”. //az//

XS
SM
MD
LG