Lidhje

Më 26 tetor Kosova voton për pushtetarët vendorë - 2002-10-15


Subjektet serbe konkurrojnë për herë të parë në zgjedhjet vendore

Më 26 tetor, Kosova voton për herë të parë për pushtetarë vendorë me mandat të plotë 4-vjeçar

Zgjedhjet në shifra:

  • 5,500 numri i kandidatëve

    25 subjektet shqiptare

    35 subjektet serbe

    12 subjektet nga pakicat e tjera

    1.3 milionë personat me të drejtë vote brenda Kosovës dhe jashtë saj

    11, 000 votues të mundshëm me postë

    8.3 milionë euro buxheti i përgjithshëm për zgjedhjet

    5.1 milionë euro pjesa e buxhetit pagar nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës

    12 mijë numri i vëzhguesve nga organizata joqeveritare dhe subjekte politike

    2 numri i zgjedhjeve në Kosovë, që pas luftës

Për çfarë votohet

Më 26 tetor populli i Kosovës do të votojë për përfaqësuesit e Këshillave të Komunave, për të forcuar më tej udhëheqjen demokratike. 5,500 kandidatë do të konkurojnë për vendet në kuvendet komunale. Votuesit do të votojnë vetëm për subjektin politik dhe jo për individët. Nga secili kandidat është kërkuar të bëjë një deklaratë me shkrim lidhur me të ardhurat dhe pasurinë e tij. Është hera e parë që kadidatëve u kërkohen deklarata të tilla, të cilat do të vihen në dispozicion të publikut.

Zgjedhjet organizohen nga misioni i OSBE-së në Kosovë. Që pas luftës, në Kosovë janë organizuar dy zgjedhje, ato për komunat në tetor të vitit 2000 dhe ato për kuvendin në nëntor të vitit 2001. Meqenëse çdo komunë formon një qark të vetëm zgjedhor, do të zhvillohen në fakt 30 votime të veçanta, një për çdo komunë. Elektorati i Kosovës përbëhet nga afro 1.3 milion njerëz. Këtu bëjnë pjesë 1.2 milionë votues në Kosovë dhe rreth 120 mijë jashtë Kosovës, në Serbi dhe Mal të Zi dhe me postë nga e gjithë bota. Në zgjedhje marrin pjesë 25 subjekte shqiptare, 35 serbe dhe 12 të pakicave të tjera. Votat e para për zgjedhjet komunale të vitit 2002, janë hedhur. Deri tani 3,000 nga afro 11 mijë votues të regjistruar në 29 vende në gjithë botën, janë kthyer me postë nga votuesit në Departamentin e Operacioneve të Zgjedhjeve dhe pritet të numërohen.

Më 7 tetor, në Kosovë filloi programi i votimit të hershëm. Sipas këtij programi u jepet e drejta për të votuar atyre që nuk kanë mundësi të shkojnë në një qendër votimi në ditën e zgjedhjeve. Rreth 12 mijë votues të regjistruar, përfshirë ata që nuk dalin dot nga shtëpia dhe disa zyrtarë të zgjedhjeve do të përfitojnë nga ky program. Më 11 tetor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të sugjerojë që lista e votuesve të garantohet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Sekretarit të Kombeve të Bashkuara. Listat e votuesve po shtypen në Hungari.

Pse këto zgjedhje janë të ndryshme nga ato të mëparshmet?

Ndryshimi i këtyre zgjedhjeve me ato të vitit 2000, është së pari se votohet për mandate katër vjeçare dhe jo dy vjeçare. Po ashtu një ndryshim tjetër është pjesëmarrja e serbëve të Kosovës. Në vitin 2000, asnjë subjekt politik serb nuk konkurroi në zgjedhje, duke i lënë serbët e Kosovës pa përfaqësues.

Po ashtu, OSBE-ja që po organizon zgjedhjet po punon për të përfshirë më shumë gra në qeverisjen vendore. Një e treta e kandidatëve nga çdo subjekt në dy të tretat e para të listës, duhet të jenë gra.

Një avantazh tjetër për këto zgjedhje është edhe se votuesit mund t’i vlerësojnë kanidatët jo vetëm nga platformat dhe premtimet, por edhe nga rezultatet në detyrë, për ata që janë tashmë në detyrë.

Po ashtu është hera e parë që populli i Kosovës po kontribuon kaq shumë në zgjedhje, që nga përkrahja financiare deri në përgjegjësi më të madhe në operacione dhe hartim politikash. 5.1 milion euro nga 18.3 milionë të buxhetit të përgjithshëm për zgjedhjet, janë paguar nga Buxheti i Konsolidiar i Kosovës.

Një e re tjetër në këto zgjedhje është se taksat mund të bëhen temë e fushatës, pasi UNMiK-u u ka dhënë të drejtën komunave të mbledhin taksat e pronave. Më këto zgjedhje shpresohet të ndihmohet për krijimin e kushteve për kthimin e të shpërngulurve. Kjo mund të realizohet me forcimin udhëheqësve vendas, që janë të rëndësishëm në krijimin e kushteve për kthimin e tyre. Një nga problemet e hasura në periudhën parazgjedhore ishte kërkesa e serbëve që në Mitrovicë të votohet për dy komuna të veçanta. Ata donin që pjesa veriore të bëhej komunë më vete. Kjo kërkesë nuk është pranuar nga Organizata për Sigurimin dhe Bashkëpunim në Evropë, si edhe është kundërshtuar nga shqiptarët.

Kush do t’i vëzhgojë zgjedhjet?

Zgjedhjet do të vëzhgohen nga Misioni i Vëzhguesve i Këshillit të Evropës. Sipas këtij misioni, përgatitjet për zgjedhjet deri tani janë zhvilluar të qeta dhe në përputhje me parimet ndërkombëtare dhe ato të Këshillit të Evropës. Kërkesën për vëzhgim nga KE-ja e ka bërë OSBE-ja që e konsideroi atë si një organizëm të paanshëm

Për vëzhgimin e zgjedhjeve janë akredituar 12 mijë vëzhgues nga 8 organizata joqeveritare dhe 24 subjekte politike.

XS
SM
MD
LG