Lidhje

BDI-ja nuk pranon kushtëzime për përfaqësuesit në qeveri - 2002-10-15


Bashkimi Demokratik për Integrim nuk do të pranojë kushtëzime në lidhje me emrat e ministrave të saj në qeverinë e re, pavarësisht nga qëndrimi i Lidhjes Socialdemokrate e cila nuk pranon përfshirjen e ish-komandantëve apo personave të lidhur direkt me konfliktin e vitit të kaluar, në ekzekutivin e ri të vendit.

Zëvëndëskryetari i kësaj partie, Aziz Pollozhani, thotë për Zërin e Amerikës, se do të ketë apo jo ish-komandantë në qeveri, kjo do të varet nga aftësitë e tyre dhe gadishmëria për t’u marrë me problemet që dalin për qeverinë e re.

”Në parim, kemi qenë dhe mbetemi kundër cdo kushtëzimi në biseda në formimin e strukturës qeveritare”, tha zoti Pollozhani.

BDI ka paraqitur dy variante për ministritë që do të donte të kryesonte në qeverinë e re, në njërin variant përfshin ministritë e drejtësisë, arsimit, transportit dhe lidhjeve dhe ministrinë e jashtme.

Varianti i dytë përfshin ministritë e drejtësisë, transportit dhe arsimit, politikës sociale dhe ekologjisë. Në të dyja variantet, kërkohet edhe një vend zëvëndëskryeministri në qeverinë e re të Branko Cërvenkovskit.

Deri tani nuk ka ndonjë konfirmim që të jetë rënë dakord për ndonjërin nga këto variante, megjithatë zoti Pollozhani thotë se pala shqiptare ngul këmbë për këto ministri.

”Këto ministri paraqesin një kapacitet për ne relevant, me të cilin mund të realizohet politika programore e partisë sonë dhe paraqesin dikastere që kanë të bëjnë me cështje që do të jenë të përfshira si në procesin e reformave shtetërore dhe decentralizimin e pushtetit, dy elemente këto që duhet të karakterizojnë këtë mandat 4 vjecar”, tha zoti Pollozhani.

Nënkryetari I BDI-së beson se bisedimet për qeverinë e re do të përfundojnë me sukses nesër. Një zyrtare e lartë e LSDM-së, Radmilla Shekerinska, ka thënë se do të duhen edhe dy ose tre takime për të përmbyllur negociatat në këtë fazë ndërkohë që sipas saj, në diskutimin e emrave konkretë të ministrave të rinj, do të marrë pjesë edhe kryeministri i ri Branko Cërvenkovski.//kk//

XS
SM
MD
LG