Lidhje

Shqipëri: Diskutohet korrupsioni në administratë - 2002-10-15


Korrupsioni i administrates ne Shqipëri u bë të martën temë e debateve në konferencën triditore të trojkes parlamentare evropiane.

Eurodeputetë të Këshillit të Evropës, OSBE-së dhe Parlamentit Evropian ndoqën shpjegimin e oratorëve shqiptarë, që kërkuan ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar që kjo dukuri të mund të frenohet në Shqipëri, jo vetem me masa ligjore por edhe përmes zhvillimeve ekonomike.

Kryetari i parlamentit të Shqipërisë, Servet Pëllumbi vuri në pah nevojën e trajtimit të problemit nga pikëpamja ekonomike.

”Pa një zhvillim ekonomik, pa rritur nivelin e jetesës së njerëzve, është shumë e vështirë të jesh bindës dhe të kesh rezultatet e pritura në luftën kundër korrupsionit. E rëndësishme është që të shterren rrënjët që e ushqejnë. Dhe në këtë aspekt unë them që zhvillimi ekonomik është faktori kryesor”, tha zoti Pëllumbi.

Ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha se në themel të korrupsionit në Shqipëri qëndrojnë zgjedhjet jo të lira, që sjellin qeveri të komprometuara me botën e krimit.

Ai u kërkoi parlamentarëve evropianë që të ndihmojnë për të bërë publike pasuritë e politikanëve shqiptarë jashtë vendit.

”Së dyti kërkova që të atakohen monopolet dhe konflikti i interesave si një kusht themelor për të luftuar korrupsionin. Së treti një reformë gjyqësore është jashtëzakonisht e rëndësishme. Së katërti prerja e lidhjeve të politikës me krimin do të jetëprova e vërtetë e këtyre reformave që janë ndërmarrë në Shqipëri dhe e efikasitetit të tyre”, tha zoti Berisha.

Shqipëria renditet ndër vendet me korrupsionin adminstrativ më të zhvilluar në rajon. //kk//

XS
SM
MD
LG