Lidhje

Botohet një analize me studime mbi hemoragjinë cerebrale - 2002-10-15


Hemoragjia cerebrale është një nga shkaktarët kryesorë të vdekjeve dhe paaftësive. Por në ç’mënyrë mund të parandalohet kjo sëmundje? Për përgjigjen e kësaj pyetje janë zhvilluar një seri studimesh dhe shumë prej tyre rekomandojnë ilaçe të ndryshme. Por pyetja që tani shtrohet është se sa njihen këto ilaçe e mënyra të reja nga personeli mjekësor në klinika e spitale. Në këtë kuadër, kohët e fundit u botua një analizë shkencore e cila merr në shqyrtim mbi 400 studime të kryera mbi hemoragjinë cerebrale.

Përfundimet e analizës lënë të kuptohet se personat e prekur nga hemoragjia cerebrale nuk kanë qenë në gjendje të marrin trajtimin e duhur mjeksor, pasi në shumë raste personeli mjekësor nuk ka dijeni rreth mënyrave të reja të efektshme për trajtimin e kësaj sëmundjeje.

Shkencëtarët shqyrtuan me kujdes afro 400 raste me hemoragji cerebrale dhe vunë re se në disa klinika pacientëve të moshuar u ishin mohuar ilaçe kundër koagulimit të gjakut që janë provuar si parandalues të efektshëm të hemoragjisë cerebrale tek personat që vuajnë nga aritmia e zemrës.

Këto ilaçe nuk u jepeshin të moshuarve, pasi personeli mjekësor shqetësohej se ilaçi kundër kaogulimit mund të shkatonte hemoragji nëse pacienti pa dashje rrëzohej. Por kërkimet e hershme kanë treguar se ky lloj trajtimi nuk shkakton asnjë problem tek të moshuarit. Ekspertët thonë se të kesh ilaçin e të mos dish ta përdorësh është njësoj si të mos e kesh, prandaj u bëjnë thirrje mjekëve dhe të gjithë personeleve mjekësore që t’u kushtojnë më shumë vemendje arritjeve të reja në këtë fushë e t’i vënë ato në zbatim.

Alcajmeri: si mund të trajtohet nëse diktohet shpejt

Kur flitet rreth sëmundje së Alcajmerit, shumëkujt i vjen në mend një njeri i humbur, i shkëputur nga realiteti, dhe që nuk mban mend asgjë. Por ky skenar është zakonisht pjesë e shkallës më të rëndë të sëmundjes. Në një studim botuar këto ditë në revistën e shoqatës amerikane të mjekësisës thuhet se para simptomave të rënda, Alcajmeri shfaqet me shenja të lehta, të cilat po të trajtohen që në fillim, mund të shmangin sëmundjen. Autorët e studimit morrën në shqyrtim qindra pacientë të moshuar q ë vuajnë nga Alcajmeri. Ata vunë re se para shfaqjes së plotë të sëmundjes, 75 përqind e pacientëve kishin treguar shenja neuro psikiatrike si depresion, halucinacion, nervozizëm dhe ankth. Autorët e studimit pranë qëndrës mjekësore John Hopkins në Maryland thonë se njerzët përqëndrohen aq shumë në idenë se Alcajmeri shkakton humbjen e kujtesës, saqë nuk vënë re se sipmtomat e tjera neuro psiqiatrike që shfaqen fare hapur. Doktor Konstantine Lyketos, që kryesoi studimin, thotë se këto simptoma mund të trajtohen me ilaçe, terapi e ushtrime fizike, dhe sa më shpejt që fillon trajtimi i tyre aq më i mundshëm bëhet parandalimi i Alcajmerit.

Shpiket një sistem elektronik që kontrollon sistemin elektrik në banesë

Greg Riker, një ish drejtor i firmës Mikrosoft ka shpikur një sistem të ri elektronik që kontrollon të gjithë sistemin elektrik në banesë duke filluar nga drita e deri tek paisjet shtëpiake. Me një të shtypur të sustës ose çelësit, ai mund të komandojë çdo gjë, radion, televizorin, dushin, dritat, ventilimin e të tjera, pavarësisht se në ç’pjesë të shtëpisë ndodhen ato. Greg Riker punoi për këtë sistem për afro 2 vjet. Brenda çdo muri, nën dysheme e mbi tavan, ai ka shtrirë rreth 15 kilometra kabëll e fije elektrike, të cilat bashkohen në sistemin qëndror të kontrollit. Ky është sistemi i vetëm i këtij lloji, por ende nuk ka gjetur përhapje në treg, ndoshta për arsye se njerëzit presin për një sistem më praktik, siç është ai me telekomandë.

XS
SM
MD
LG