Lidhje

Deri të dielën qeveria e re e Maqedonisë do të dihet e plotë - 2002-10-19


Deri të dielën qeveria e re e Maqedonisë do të dihet e plotë, me të gjitha ministritë dhe ministrat e saj, zëvëndës-ministrat dhe zëvëndës-kryeministrat, të gjitha postet e niveleve më të larta që ndahen mes fituesve të zgjedhjeve parlamentare të 15 shtatorit. Musa Xhaferri, i cili do të jetë i vetmi zëvëndës-kryeministër shqiptar në qeverinë e Maqedonisë, thotë për Zërin e Amerikës, se është i vetëdijshëm se do të përballet me shumë sfida.

”E para do të ishte rehabilitimi i gjendjes në përgjithësi pas konfliktit dhe krijimi i kushteve për mirëbesim më të kënaqshëm midis dy komuniteteve këtu në Maqedoni.”

Zoti Xhaferri thotë se krijimin e besimit midis partnerëve në qeveri, e konsideron më të rëndësishëm.

“Gjendja është krejtësisht ndryshe nga e kaluara, kështu që edhe raportet midis partnerëve në qeverisje, me Lidhjen Socialdemokrate do të jenë të tjera, raporte partnerësh, si kusht i domosdoshëm për qeverisje të suksesshme në të ardhmen."

Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e dalë nga ish-strukturat e UCK-së, e kryesuar nga Ali Ahmeti, hyn në qeverinë e Branko Cërvenkovskit me emra të rinj, të cilët do të kenë përballë vetes një numër sfidash.

“Së pari politikanët e rinj do të ballafaqohen me konceptet e vjetra për qeverisje, mentalitetet e vjetra dhe shabllonet e vjetra që janë krijuar këtu me vite për qeverisjen në përgjithësi dhe për qeverisjen e Maqedonisë, pas konfliktit.”

Qeveria e re e kryesuar nga Branko Cërvenkovski, në të cilën shqiptarët do të kenë një zëvëndëskryeministër dhe 4 ministra, e bazon platformën e saj qeverisëse në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ringjalljen ekonomike të vendit. //ze//

XS
SM
MD
LG