Lidhje

Powell: gjendja e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut ndryshon shumë nga ai në Irak - 2002-10-19


Sekretari amerikan i shtetit, Colin Powell, thotë se gjendja e arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut ndryshon shumë nga ai në Irak, pasi Shtetet e Bashkuara kanë më shumë mjete që mund të përdorin kundër Koresë së Veriut meqenëse ky vend po shkon drejt shkatërrimit.

Duke folur në emisione të rrjeteve televizive, Fox News Sunday dhe This Week të ABC-së, sekretari Powell tha se Koreja e Veriut e ka pranuar se po zhvillon një program armësh bërthamore. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të vendosin bashkë me aleatët e tyre se si t’i përgjigjen kësaj situate.

Sekretari i Shtetit thotë se Koreja e Veriut e hodhi poshtë marrëveshjen-kornizë të vitit 1994 kur pranoi ekzistencën e një programi të fshehtë të armëve bërthamore.

“Kur ekziston një marrëveshje ndërmjet dy palëve dhe njëra palë thotë se është e pavlefshme, atëherë duket sikur marrëveshja nuk ekziston më.”

Zoti Powell tha në rrjetin televiziv ABC se Shtetet e Bashkuara po këshillohen me vendet-aleate dhe ato mike. Ai u pyet nëse rruga e sanksioneve ekonomike mund të merrej në konsideratë, si ndalimi i ndihmës për Korenë e Veriut, në shkëmbim të premtimit të Penjanit për të pezulluar programin e armëve të shkatërrimit në masë.

“Ne po shqyrtojmë të gjitha hollësitë, që bazohen në marrëveshjen-kornizë për të parë se ç’veprime janë në interesin tonë dhe cilat nuk janë”.

Koreja e Veriut e pranoi se kishte një program armësh bërthamore pasi u gjend para provave amerikane në fillim të këtij muaji. //ze//

XS
SM
MD
LG