Lidhje

Ahmeti: si partnerë në qeverisje do të synojmë integrimin euro-atlantik - 2002-10-21


Partia Bashkimi Demokratik për Integrim, u angazhua se si pjesëtare në koalicionin qeveritar do të punojë në drejtim të hapjes së perspektivave që Maqedonia të integrohet në strukturat euroatlantike.

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, tha të hënën në një intervistë për Zërin e Amerikës, se nëse nuk vendoset paqja, stabiliteti dhe shpresat për ardhmëri në vend, përgjegjësia bie mbi ata që qeverisin.

”Nëse nuk punojmë në drejtim të paqes, fajtorë nuk janë të tjerët, të cilët, na kanë ofruar ndihmën e sinqertë, si Evropa, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja”, tha zoti Ahmeti.

Ministritë që do të drejtohen nga përfaqësuesit e BDI-së, janë ajo e arsimit, drejtësisë, shëndetësisë dhe transporteve dhe lidhjes.

Zoti Ahmeti tha se partia e tij është përpjekur që të zgjedhë në qeveri figura profesionalisht të ngritura dhe moralisht të pastra.

Kreu i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim tha se partia e tij nuk do të dalë me projekte dhe programe paralele, por me një program unik për të cilin siç tha ai do të bien dakord partnerët në koalicion.

Ai shtoi se vullneti për normalizimin e gjendjes ekziston tek të dyja palët, pasi siç u shpreh zoti Ahmeti ”ky është vendi ynë” dhe në situatën e rënduar që ekziston kërkohet përgjegjësi. //kk//

XS
SM
MD
LG