Lidhje

BE hap rrugën për negociatat me Shqipërinë - 2002-10-21


Shqipëria arriti më në fund të sigurojë hapjen e negociatave me BE për marrëveshjen e asocim stabilizimit. Vendimi i marrë pasdite nga Këshilli i ministrave të jashtëm autorizon Komisionin Evropian të nisë bisedimet me autoritete shqiptare, pas më shumë se tre vjet përpjekjesh dhe tratativave të shumta. Në vendimin e Këshillit nxitet qeveria e Shqipërisë dhe institucionet e saj të rrisin kapacitet për vënien në jetë të marrëveshjes që do të negociohet.

Rreth një orë pas marrjes së vendimit të BE kryeministri Fatos Nano e përshendeti atë duke e cilësuar si një shprehje realiste të mbështetjes që i jepet arritjeve dhe aspiratave të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e strukturave evropiane: “është vetëm fillimi i një faze të re transformimesh rrënjësore dhe reformash afatgjata që prek dhe kërkon kontributin dhe përgjegjësinë e institucioneve, partive politike, sipërmarrësve shoqërisë civile dhe cdo shtetasi të Shqipërisë”

Kryeministri Nano u angazhua se qeveria shqiptare do të vazhdojë reformat dhe plotësimin e detyrimeve që lindin nga procesi i bisedimeve me BE: “Në emër të qeverisë shprehem se jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që duhet të përballojmë dhe se mbetemi të angazhuar të vazhdojmë reformat në drejtim të ruajtjes së stabilitetit politik, të konsolidimit të institucioneve demokratike dhe të shtetit ligjor për respektimin e të drejtave të njeriut për zhvillimin e mëtejshëm të institucioneve dhe të realiteteve të ekonomisë së tregut në përputhje me standartet normative të BE”

Ekspertët evropianë kanë paralajmëruar se faza deri në nënshkrimin e marrëveshjes do të jetë një periudhë e gjatë dhe e vështirë. Ata kanë saktësuar se marrëveshja e Asocim-Stabilizimit do të nëshkruhet vetëm pasi ata të binden se Shqipëria dhe institucionet e saj janë në gjendje ti përgjigjen detyrimeve të tyre.

//rd//

XS
SM
MD
LG