Lidhje

Tel Avivi: personat përgjegjës për shpërthimin e fundit terrorist do ta paguajnë - 2002-10-22


Zyrtarët izraelitë thonë se personat përgjegjës për shpërthimin terrorist të hënën në një autobuz në Izraelin verior do ta paguajnë.

Shpërthimi vetëvrasës në afërsi të qytetit Hadera shkaktoi 16 të vrarë, mes tyre edhe 2 autorët e shpërthimit. Më shumë se 40 veta u plagosën. Zyrtarët izraelitë po shqyrtojnë një përgjigje. Zyrtarët kishin vendosur para shpërthimit që të shtynin për disa ditë tërheqjen e pjesëshme të trupave nga qyteti i ndarë i Hebronit në Bregun Perëndimor.

Disa zyrtarë të ushtrisë thanë se ushtria do të vazhdojë të rishqyrtojë tërheqje të trupave dhe mund të vendosë përsëri ndalim-qarkullimin në pjesë të Bregut Perëndimor. Ushtria izraelite zbuti javën e kaluar ndalim-qarkullimet në disa qytete.

Dëshmitarët e sulmit vetë-vrasës thanë se një makinë plot me eksploziv iu afrua autobuzit gjatë orëve të mbasdites me trafik të dëndur dhe u hodh në erë. Sipas dëshmitarëve, autobusi u përfshi nga flakët brënda pak momentesh, duke mos lënë asgjë veç një skeleti të tymosur mbi rrotat prej gome që digjeshin.

Grupi ekstremist palestinez Xhihadi Islamik mori pëprgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ai u krye në hakmarrje të masakrave izraelite kundër civilëve palestinezë.

Zyrtarët izraelitë fajësuan udhëheqësit palestinez, Jaser Arafat, i cili e dënoi sulmin. Izraeli ka thënë se zoti Arafat nuk ka bërë asgjë për të ndalur ekstremistët. Edhe presidenti Bush e dënoi sulmin, duke thënë se përpjekjet për paqe duhet të vazhdojnë dhe dhuna duhet të ndërpritet. //ze//

XS
SM
MD
LG