Lidhje

Kosovë: partitë shqiptare bëjnë thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje - 2002-10-24


E enjtja po shënon në Kosovë edhe veprimtaritë e fundit politike në kuadër të fushatës zgjedhore për votimet e së shtunës për pushtetin vendor, ndërsa thirrjet për dalje masive në këto zgjedhje janë karakteristikë e këtyre veprimtarive.

Tri partitë më të mëdha politike të Kosovës: Lidhja Demokratike, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u bënë thirrje të enjten qytetarëve nëpërmjet një deklarate të përbashkët që të marrin pjesë në zgjedhjet e së shtunës. Përfaqësuesit e këtyre partive thanë se pjesmarrja në votime është detyrë qytetare e cila ndihmon në çuarjen përpara të procesit politik në Kosovë.

Ata thanë se partive politike u duhet vota e qytetarëve për t’i bërë institucionet e besueshme, të përgjegjshme dhe që përfaqësojnë vullnetin e votuesve. Thirrje të tilla janë drejtuar gjatë ditëve të fundit edhe nga zyrtarët ndërkombëtar dhe sipas analistëve kjo është shprehje e shqetësimit për mosdaljen e mjaftueshme të qytetarëve në qendrat e votimit. //kk//

XS
SM
MD
LG