Lidhje

Kryeziu: LDK-ja gëzon përkrahje mes zgjedhësve. - 2002-10-24


Nën-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shprehu besimin se Partia e tij gëzon epërsi në zgjedhjet e ardhshme si rrjedhojë e punës që ka bërë gjatë viteve të fundit. Çdo pushtet komunal, tha zoti Kryeziu në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka për detyrë të përmirësojë shërbimet publike. Bazuar në përmbushjen e këtyre detyrave, vazhdoi ai, Lidhja Demokratike e Kosovës dallon nga partitë e tjera pasi gëzon një besueshmëri më të madhe. Kjo parti ka vënë në funksionim me një shpejtësi të madhe një pushtet komunal, i cili, thekson zoti Kryeziu, është një ndër më të besueshmit në Kosovë.

Zoti Kryeziu lavdëroi punën e anëtarëve të Partisë së tij që shërbejnë si zyrtarë në pushtetin vendor. Ai pohoi se ka edhe kritika lidhur me funksionimin e pushtetit lokal, por pikërisht këto kritika, theksoi ai janë provë e faktit se ky është një pushtet i mirëfilltë demokratik.

Lidhja Demokratike e Kosovës, theksoi Nën-Kryetari i saj Eqerem Kryeziu ka mospajtime për shumë çështje me bashkësinë ndërkombëtare, por ai shtoi se Partia e tij nuk i vë asnjëherë në dyshim raportet e mira që gëzon me autoritetet ndërkombëtare. Megjithëse mund të ekzistojnë grupe të caktuara që, siç u shpreh zoti Kryeziu, mund të mbajnë një qëndrim më agresiv, nuk ka të ngjarë që këto grupe të acarojnë raportet ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë në Kosovë. //ad//

XS
SM
MD
LG