Lidhje

Kosovë: SHBA bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhjet vendore - 2002-10-25


Shefi i Zyrës Amerikane në Prishtinë Reno Harnish u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet vendore. Ai tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se votimet e së shtunës do të ndikojnë mbi të ardhmen e tyre në mënyrë shumë konkrete. Zoti Harnish tha gjithashtu se është në interesin e pakicave që të marrin pjesë në zgjedhje. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë një angazhim të fuqishëm dhe të vazhdueshëm për Kosovën. Zoti Harnish përmendi si tregues kampin Bondsteel, që siç tha ai “është baza më e madhe ushtarake e ndërtuar që nga lufta e Vietnamit”, si edhe shumën prej rreth 85 milionë dollarësh si ndihmë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, për vitin fiskal 2003. Përsa I takon statusit politik të Kosovës, zoti Harnish tha se tani është koha “kur Kosova duhet të dëshmojë se mund të qëndrojë në këmbët e veta si shembull pozitiv në botë dhe atëherë do të mund të vijmë tek statusi politik i saj”.

VOA: Zoti Harnish, si e vlerësoni situatën në Kosovë?

Harnish: Më vjen shumë mirë që më bëni këtë pyetje, sepse mendoj se ky është moment me shumë rëndësi për historinë e Kosovës. Parlamenti ka filluar të funksionojë që nga pranvera dhe ka marrë përgjegjësi të reja për të vendosur mbi të ardhmen e qytetarëve të Kosovës. Në të njëjtën kohë pushteti komunal është zgjedhur për herë të parë dhe ata kanë përgjegjësi të reja përfshirë edhe vendosjen e taksës mbi pronën. Pra mundësitë janë në duart e qytetarëve të Kosovës që të punojnë për të ardhmen e tyre dhe ta bëjnë atë të suksesshme, pra ku qytetarëve të zakonshëm t’u shërbejnë udhëheqësit e tyre të zgjedhur. Por, më lejoni të them se ky është edhe një moment i vështirë. Shkalla e papunësisë është shumë e lartë, çështja e sigurisë civile duhet të përmirësohet ende, dhe ekzistojnë probleme me krimin. Pra ende ka probleme të mëdha, prandaj them se kjo është një periudhë me rëndësi thelbësore për Kosovën…

VOA: Zoti Harnish gjendja e komuniteteve pakicë është cilësuar gjithnjë si një nga problemet themelore me të cilat përballet Kosova. Si e vlerësoni ju gjendjen e tyre të tanishme?

Harnish: Pakicat janë në një pozitë të tillë që kanë nevojë të jenë më të angazhuara në këtë rajon. Shumë nga pakicat kanë vendosur të bëhen pjesë e komunitetit dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive në parlament. Por unë mendoj se cështja e këtyre zgjedhjeve komunale është në fakt për të gjitha pakicat çështje e vendimit nëse duan të jenë të përkushtuara për Kosovën dhe të ardhmen e tyre, për ta marrë atë në duart e veta. Mendoj se është në interesin e pakicave përfshirë edhe pakicën serbishtfolëse për të marrë pjesë në këto zgjedhje dhe në të gjitha zonat madje edhe atje ku ata nuk janë shumicë. Kjo është gjithashtu përgjegjësi e shqipfolësve në Kosovë. Ata duhet të jenë të mirëpritur. Unë i kuptoj shumë mirë mëritë që vijnë nga konflikti i cili përfundoi vetëm tre vjet më parë. Por më qëllim që të ecet përpara, njerëzit duhet të falin edhe pse nuk mund të harrojnë.

VOA: Çfarë mund të bëjnë institucionet e Kosovës dhe vetë pjestarët e pakicave për pëmirësimin e pozitës së tyre?

Harnish: Mendoj se e thashë që në njërën anë pakicat duhet të jenë të angazhuara për Kosovën, ndërsa shumica duhet t’i pranojë ata. Dhe kjo mund të shprehet në një shembull të veçantë. Të marrim arsimin: Pakicat duhet të gjejnë rrugë që të hyjnë në sistemin e arsimit të Kosovës, ndërsa Kosova duhet të gjeje rrugë që të kujdeset për problemet e lidhura me ekzistencën e grupeve të pakicave që nuk përdorin gjuhën e shumicës. Pra ka dy drejtime përsa i përket arsimimit dhe kjo mund të zbatohet në shumë fusha, si për shembull shëndetësia. Një shembull tjetër edhe më i mirë është Shërbimi Policor i Kosovës, sepse atje është fjala për një shërbim profesional ku nuk shihet përkatësia etnike dhe që ka arritur të ketë një numër të madh të pjesëtarëve të pakicave. Unë besoj se serbët përbëjnë dhjetë përqind të këtij shërbimi. Pra ka suksese por ka ende për t’u bërë në praktikë që shumica të garantojë të drejtat dhe sigurinë e pakicave dhe në të njëtën kohë, pakicat të shfrytëzojnë këto mundësi dhe të jenë të përkushtuara për Kosovën.

VOA: Çfarë rëndësie kanë për Kosovën dhe qytetarët e saj zgjedhjet për pushtetin vendor sipas mendimit tuaj?

Harnish: Ato do të jenë të rëndësishme për shumë arsye. Më lejoni të përmend ato më të veçantat. Aktualisht i dërguari i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Michael Steiner ka publikuar një plan shtatëpikësh i cili u hap rrugët pakicave e sidomos pakicës serbishtfolëse që të jetë pjesë e Kosovës. Aty thuhet se ata duhet të vijnë në Kosovë dhe pastaj do të kenë të drejta të mbrojtura në Kosovën e Re. Kjo është një rrugë që e çon përpara komunitetin serb.

VOA: Zoti Harnish, t’i kthehemi rolit të vendit tuaj në Kosovë. Zhvillimet më të reja në skenën ndërkombëtare jo rrallë kanë nxitur shqetësime rreth pranisë amerikane në Kosovë. Cilat janë pikëpamjet tuaja?

Harnish: Unë besoj se ne Shtetet e Bashkuara kemi një përkushtim të fuqishëm dhe të vazhdueshëm për Kosovën. Pavarësisht nga problemet e tjera në botë, nga pamjet e tmerrshme të sulmeve të 11 shtatorit, në Kosovë ka shumë elementë që dëshmojnë përkushtimin tonë. Për shembull kemi kampin Bondsteel, që është baza më e madhe ushtarake e ndërtuar që nga lufta e Vietnamit. Aty ka mbi 4 mijë ushtarë amerikanë dhe ky është një përkushtim shumë i fuqishëm ndaj një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm në Kosovë. Nga ana tjetër në fushën e sigurisë civile dhe zhvillimit ekonomik ne kemi dhënë për vitin fiskal 2003, rreth 85 milion dollarë si ndihmë për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Kjo është një shumë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi edhe programe të pashpallura që kanë të bëjnë me çështjet e kthimit dhe ripajtimit.

Amerika është e fuqishme, ajo interesohet për Kosovën dhe është e përkushtuar ndaj të ardhmes së saj. Do të dëshiroja në fakt që të nxisja vendet e tjera që të studiojnë se çfarë duhet bërë ende në Kosovë dhe të dëshmojnë shkallën e tyre të përkushtimit ndaj së ardhmes së Kosovës. Ekziston rreziku që disa vende të preken nga e ashquajtura “lodhje e dhuruesve” dhe të mbeten prapa Shteteve të Bashkuara përsa i përket sasisë së ndihmës. Dhuruesit do të mblidhen në Bruksel më 5 nëntor dhe ne shpresojmë të shohim një kontribut aktiv nga vendet tjera.

VOA: Si e shihni të ardhmen e Kosovë dhe statusin politik të saj?

Harnish: Unë kam ardhur nga Washingtoni në Kosovë me udhëzime të qarta. Dhe sipas këtyre udhëzimeve ky nuk është viti i shqyrtimit të statusit politik. Ky është viti kur kosovarët duhet t’u ofrojnë shërbime njerëzve të tyre, të zgjidhin çështjen e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, të zgjidhin problemet e kriminalitetit, ky është vit, siç është thënë nga shefi i UNMIK-ut, i përmbushjes së standardeve para statusit. Në duart e qytetarëve të Kosovës janë mjetet e duhura. Kjo është koha për të përcaktuar rrugët e një arsimimi të mirë, koha kur Kosova duhet të dëshmojë se mund të qëndrojë në këmbët e veta si shembull pozitiv në botë dhe atëherë do të mund të vijmë tek statusi politik i saj.

VOA: Zoti Harnish, cili do të ishte mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës në prag të zgjedhjeve vendore?

Harnish: Mesazhet e mija janë të qarta. Unë do të them sa herë që të kem rastin se qytetarët e Kosovës duhet të marrin pjesë në zgjedhje. Në zgjedhjet rajonale kemi parë se pjesëmarrja e ulët bën që në duart e elementëve më të skajshëm të spektrit politik të bjerë më shumë pushtet se sa duhet. Nëse kemi pjesëmarrje më të madhe atëherë do të fitojnë kandidatët më të moderuar që synojnë të përmbushin premtimet ndaj votuesve. Prandaj mesazhi im për zgjedhësit e Kosovës është: dilni dhe votoni. Edhe nëse është ditë me mot të keq, ajo do të ndikojë mbi të ardhmen tuaj në mënyrë shumë konkrete. Mendoni për rrugët e dëmtuara, dritat e thyera. Nëse njerëzit nuk dalin në votime ata duhet të fajësojnë pastaj veten e tyre për të gjitha këto probleme.

XS
SM
MD
LG