Lidhje

Analistja Brenda Pearson komenton mbi sfidat e qeverisë së re në Maqedoni - 2002-10-25


Zonja Pearson tha se është e rëndësishme të kihet parasysh se që në momentin kur fitoi pavarësinë, në vitin 1991, Maqedonia është udhëhequr nga një qeveri koalicioni. Kjo, tha zonja Pearson, është një formulë e vjetër qeverisjeje që në përgjithësi funksion mirë, me pjesëmarrjen e një partie maqedonase, një partie shqiptare dhe të një pale të tretë që zakonisht luan një rol të ndërmjetëm.

Maqedonasit tha analistja, pretendojnë se ky koalicion nuk u dha shqiptarëve gjithshka që ata kërkonin, si Ministrinë e Jashtme, të Brendshme apo atë të Mbrojtjes. Ndërsa nga ana tjetër, shtoi ajo, udhëheqësit e Partisë Bashkimi Demokratik për Integrimin thonë se me këtë koalicion kanë arritur shumë më tepër se sa partitë e tjera shqiptare në qeveritë e mëparshme, si një prani të re në Këshillin e Sigurimit, më shumë ministri, zëvëndësministra në Ministrinë e Brendshme dhe në atë Mbrojtjes. Problemi me këtë koalicion, tha analistja Pearson, qëndron në faktin se maqedonasit dhe shqiptarët e shohin atë nga këndvështrime të ndryshme. Vështirësia e qeverisë do të jetë ndarja e përgjegjësive në mënyrë të tillë, që të funksionojë për politikanët maqedonas dhe ata shqiptarë. Për mendimin tim, sfida e parë për të dyja palët do të jetë se sa shpejt do të mund të përmbushin disa prej premtimeve të bëra gjatë fushatës. Deri tani, tha zonja Pearson, mendoj se ka një strukturë relativisht të mirë qeverisjeje.

Zonja Pearson tha se marrëveshja e Ohrit duhet të analizohet duke marrë parasysh kohën kur u nënshkrua. Vendi,tha ajo, ishte në prag të një lufte civile. Prandaj për momentin, marrëveshja e Ohrit ishte më e mira që mund të realizohej. Synimi politik i marrëveshjes mund të mos përputhet plotësisht me anët teknike të zbatimit të saj. Prandaj, kur flasim për vështirësitë e zbatimit të marrëveshjes, duhet që në radhë të parë të përcaktojmë se cili është qëllimi i saj.

Marrëveshja e Ohrit, tha zonja Pearson, nënkupton një gjë për politikanët maqedonas dhe diçka tjetër për politikanët shqiptarë. A ekziston një vullnet i mirë për ta zbatuar atë? Mendoj tha ajo, se duhet të ketë, sepse marrëveshja e Ohrit është një nga mënyrat për ekzistencën e Maqedonisë.

Kur flasim për vullnetin në zbatimin e marrëveshjes, tha zonja Pearson, duhet ta shohim atë nga pikëpamja se sa të aftë jemi për ta zbatuar atë. Ne lidhje me ekonomine e Maqedonisë, zonja Pearson u shpreh se nëse vendi vazhdon të duket i paqëndrueshëm, atëhere nuk do të mund të tërhiqen investitorët e huaj, apo ata të rajonit. Prandaj, problemi i parë, tha ajo, është rivendosja e sigurisë.

Me koalicionin e ri, tha analistja Pearson, partitë e të cilit morën një shumicë dërmuese votash në elektoratin e tyre, ekziston mundësia që në aspektin ekonomik të punohet për një shpërndarje proporcionale të burimeve në qytete të ndryshme, për gjetjen mënyrave për një funksionim më të mirë të pushtetit vendor nëpërmjet kualifikimit të zyrtarëve me qëllim që të plotësojnë nevojat e qytetarëve.// lk //

XS
SM
MD
LG