Lidhje

Kina duhet të përmirësojë lirinë e fesë - 2002-10-25


Departamenti amerikan i Shtetit botoi raportin ndërkombëtar të vitit 2002 për lirinë e fesë. Sipas këtij raporti, niveli i shtypjes fetare në Tibet gjatë vitit të kaluar “mbeti i lartë” megjithëse janë zbutur kufizimet në shumë lloj aktivitetesh fetare. Qeveria kineze vazhdon të zbatojë të ashtuquajturin program të "edukimit patriotik” në disa nga manastiret që kërkojnë nga tibetianët të braktisin udhëheqësin e tyre shpirtëror Dalai Lama dhe të pranojnë Tibetin si pjesë të Kinës. Disa murgj dhe murgesa budiste vazhdojnë të kryejnë dënimin me burg për rezistencë ndaj edukimit patriotik, megjithëse numri i të burgosurve për këtë arsye ka rënë. Disa të burgosur fetarë njoftohet të kenë vdekur gjatë dënimit dhe murgët dhe murgeshat e burgosur për aktivitete politike njoftohet se janë abuzuar dhe torturuar. Sipas Rrjetit Informativ Tibetian të paktën 29 murgj dhe murgesha kanë vdekur duke kryer dënimin që nga viti 1987. Vitin e kaluar pati një numër tjetër vdekjesh në burgje. Qeveria kineze vazhdon të imponojë kufizime në numrin e murgjve në disa manastire të Tibetit megjithëse numri i tyre është rritur në vende të tjera. Duke filluar nga qershori 2001 autoritetet kineze urdhëruan mijra murgj dhe murgesha të largoheshin nga Instituti i budizmit tibetian Serthar me seli në Ganze të provincës së Sichuanit. Autoritetet kanë shkatërruar banesat e shumë murgjëve që ishin në Serthar. Sipas rrjetit informativ tibetian autoritetet urdhëruan qindra murgj të largoheshin nga një tjetër manastir në provincën Sichuan. Qeveria kineze vazhdon të kontrollojë lëvizjet e Gendun Choekyi Nyima të cilin Dalai Lama në vitin 1995 e njohu si Panchen Lamën e 11të, një udhëheqës shpirtëror i nivelit të lartë. Qeveria pretendon se djali është nën vëzhgimin e saj dhe vazhdon shkollën. Por ajo ka kundërshtuar të gjitha kërkesat për të konfirmuar vendndodhjen dhe gjendjen e tij. Siç tha presidenti George Bush gjatë vizitës së tij të fundit në Kinë në fillim të vitit, “liria e fesë është diçka që duhet mirëpritur dhe jo të kihet frikë prej saj. Ka ardhur koha që Kina të kthehjet në traditën e saj të tolerancës fetare dhe të lejojë qytetarët të praktikojnë çfarë të duan”.

//rd//

XS
SM
MD
LG