Lidhje

Bashkëpunim amerikano-kinez për ndalimin e programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut - 2002-10-26


Presidenti Bush dhe udhëheqësi kinez, Gjang Xë Min kanë rënë dakord të bashkëpunojnë për ndërprerjen në mënyrë paqësore të programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Të dy udhëheqësit u takuan të premten në fermën e Presidentit Bush në Teksas, dhe thanë se do të punojnë për një gadishull korean pa armë bërthamore. Presidenti Bush tha se do të kërkojë edhe nga Korea e Jugut, Japonia dhe Rusia që të ndihmojnë për ta bindur Korenë e Veriut që të braktisë programin e armëve të shkatërrimit në masë.

Presidenti amerikan dhe Presidenti kinez diskutuan gjithashtu edhe për çështjen e Irakut. Kina ka shprehur rezervime për të mbështetur ndërmarrjen e veprimeve ushtarake kundër Irakut. Kina ka të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Presidenti Bush thotë se do një rezolutë që të parashikojë pasoja serioze, në qoftë se Saddam Husseini nuk eliminon armët e ndaluara që ka vendi.

Zoti Bush dhe homologu i tij kinez dhanë një konferencë shtypi pas bisedimeve për të bërë të ditur marrëveshjen e arritur mbi Korenë e Veriut. Presidenti Bush njoftoi gjithashtu se nën-presidenti Richard Cheney do të vizitojë Kinën vitin e ardhëshëm.//ic//

XS
SM
MD
LG