Lidhje

Incidente të tjera në Maqedoni - 2002-10-27


Dy incidente të tjera ndodhën mbrëmjen e së shtunës duke u gdhirë e djela në Shkup dhe Tetovë: një shpërthim në Shkup, në makinën e një ish-komandanti të UÇK-së, i cili nuk shkaktoi viktima, dhe rrëzimi i bustit të Naim Frashërit në Tetovë nga persona të paidentifikuar.

Një bombë artizanale hodhi në erë makinën e Myzafer Harunit, ish-komandant i UÇK-së, i njohur me pseudonimin ”Capi” dhe njëkohësisht ish-kandidat për deputet i PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 15 shtatorit. Shpërthimi ndodhi në një parking në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, pranë qendrës tregtare ”Ilinden”.

Zoti Haruni thotë për Zërin e Amerikës se nuk beson që policia maqedonase mund të bëjë zbulimin e autorëve të ngjarjes. Ai thotë se do t’i besojë kësaj policie, kur në grupet hetimore të saj të ketë shqiptarë. Zoti Haruni nuk dëshiron të komentojë për autorët e mundshëm të këtij incidenti, megjithatë ka dyshime. ”Mund të ketë qenë në bashkëpunim edhe me shqiptarë”, thotë ai.

Ndërkohë persona të paidentifikuar rrëzuan natën e së shtunës duke u gdhirë e djela statujën e Naim Frashërit në qendër të Tetovës para Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti. Statuja ishte vënë në këtë vend para pothuaj dy javësh, kur në Tetovë u mbajt një veprimtari kulturore e quajtur “Ditët e Naimit”. Agjensia zyrtare e lajmeve komentonte se statuja ishte vënë në qendër të Tetovës ilegalisht dhe se ka pasur pakënaqësi nga qytetarët maqedonas për vënien në këtë qytet të bustit të një poeti nga Shqipëria.

Këto incidente janë vazhdë e një numri incidentesh që po shoqërojnë jetën e përditshme në Maqedoni, si vrasje të rinjsh, protesta nëpër rrugë dhe rrahje civilësh, kalimtarë të rastit, shpërthime eksplozivi, debate për emra shkollash, apo heqje statujash. Këto incidente ndodhin ndërkohë që vendi është ende në një periudhë kalimtare dhe kur qeveria e vjetër është ende në pushtet, pasi qeveria e re nuk është miratuar ende nga parlamenti. Kjo periudhë kalimtare pritet të përfundojë mesin e javës tjetër, kur qeveria e re, e kryesuar nga socialdemokrati Branko Cërvenkovski, pritet të marrë në dorë drejtimin e jetës në vend. //az//

XS
SM
MD
LG