Lidhje

Zyrtarë të lartë rusë hartojnë një plan të ri mbi sigurimin kombëtar - 2002-10-28


Në Rusi, zyrtarë të lartë të ushtrisë dhe ruajtjes së rendit po hartojnë një plan të ri mbi sigurimin kombëtar pas krizës së javës së kaluar në një teatër të Moskës, që përfundoi me gjakderdhje.

Ministri i mbrojtjes Sergei Ivanov tha se kërcënimi terrorist ndaj Rusisë po shtohet dhe se plani i ri kërkon që forcat e armatosura të luajnë një rol më të madh në mbrojtjen nga terroristët.

Ndërkohë që zoti Ivanov bënte këto komente dje, Rusia filloi varrimin e pengjeve të para mes 120 pengjeve që humbën jetën kur forcat e sigurimit vërshuan në teatër të shtunën e kaluar. Gati 600 pengje u shpëtuan. Viktima të tjera do të varrosen sot në Moskë dhe lagjet përreth.

Presidenti rus Vladimir Putin kërkoi falje për viktimat, por ai theksoi se me terroristët nuk do të ketë marrëveshje. Disa politikanë rusë po kërkojnë që të bëhen hetime rreth mënyrës se si autoritetet e zgjidhën krizën në teatrin e Moskës.

Të hënën vonë dhe dje policia ruse ndaloi në zonën e Moskës dhjetra persona, që mendohet të kenë bashkëpunuar me rebelët çeçenë. Gjithashtu dje, Rusia sulmoi kryengritësit në republikën separatiste të Çeçenisë. Kryengritësit u hakmorën duke goditur një helikopter ushtarak rus dhe duke vrarë të 4 personat në bord. //ze//

XS
SM
MD
LG