Lidhje

Gazetaria është e rrezikshme në Ukrainë - 2002-10-28


Shumë gazetarë ukrainas e ndjejnë se ata e kanë të pamundur ta praktikojnë profesionin e tyre. Më 5 tetor, rreth 300 prej tyre themeluan sindikatën e parë të pavarur të gazetarëve. Katër nga gazetarët themelues thanë se sindikata e re u bë e mundur në sajë të mendimit të përbashkët se pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike individuale, të gjithë gazetarët në Ukrainë i nënshtrohen censurës së imponuar nga qeveria. Qeveria e Ukrainës mohon se ajo i censuron gazetarët.

Sipas korrespondentit të televizionit 1 plus 1 TV, Yevhen Hlibovitsky, mediat kryesore të vendit nuk janë gjë tjetër përveç se biznese të disa oligarkëve që varen ekonomikisht dhe politikisht nga Presidenti Leonid Kuchma. Roman Skrypin, folës dhe redaktor i televizionit STB, e quan censurën një gjarpër që të shtrëngon fytin. Ai thotë se drejtuesit e mediave u thonë gazetarëve të mos e përdorin këtë ose atë lajm nëse rreth tij kanë marrë ndonjë telefonatë nga zyra e presidentit Kuchma.

Yulia Mostova, zëvendës kryeredaktore e gazetës Dzerkalo Tyzhnia dhe anëtare themeluese e sindikatës së re, flet për një teknikë censure që përdor qeveria ukrainase, ku gazetarëve u jepet urdhër me shkrim nga qeveria se si duhet t’i trajtojnë temat ekonomike dhe politike të ditës apo të mos flasin fare për to.

Sipas gazetarëve ukrainas, qeveria e zotit Kuchma i censuroi hapur njoftimet për ngjarjet e 16 shtatorit, kur dhjtra mijra ukrainas dolën nëpër rrugë në shenjë proteste, me rastin e dy vjetorit të zhdukjes së gazetarit Heorihy Gongadze. Ky i fundit ishte redaktor i një faqeje interneti që jepte njoftime për korrupsionin midis qeveritarëve. Trupi pa kokë i zotit Gongadze u gjet dy muaj pas zhdukjes së tij dhe shumë njerëz besojnë se në vrasjen e tij ka gisht qeveria ukrainase.

Gazetarët nuk janë të vetmit njerëz të pakënaqur me administratën e Prtesidentit Kuchma. Këtë muaj, mijra veta dolën nëpër rrugët e Kievit duke mbajtur pankarta ku shkruhej ”Kuchma të largohet” dhe ”Mjaft”. Përveç censurës së mjeteve të informimit, opozita e akuzon zotin Kuchma se lufton rivalët e tij politikë, kufizon liritë qytetare dhe ndjek politika ekonomike të paeefektëshme.

Qeveria e Ukrainës ka përgjegjësi të mbrojë të drejtat themelore të njeriut, përfshirë lirinë e shtypit dhe të fjalës. Një protestuese, mësuese në Kiev, u shpreh me këto fjalë: zemra ime vajton kur shikoj se si ëndërra jonë për një Ukrainë të pavarur u prish. Unë dua t’i mësoj fëmijët të jenë krenarë për vendin tim. Por tani, mua më vjen turp dhe prandaj kam vendosur ta ndryshoj këtë realitet.// lk //

XS
SM
MD
LG