Lidhje

Kryeministri Nano sulmon ish drejtuesin e SHISH-it - 2002-10-29


Kryeministri Fatos Nano iu rikthye sot sulmeve dhe akuzave ndaj ish drejtuesit të Shërbimit Informativ Fatos Klosi, për të siguruar përkrahjen e deputëtëve të tij në prag të përfundimit të punës së komisionit hetimor të parlamentit dhe hartimit të raportit përmbledhës.

Kreu i qeverisë u kujtoi të zgjedhurve të partisë së tij se të gjithë kryeministrat socialistë kishin kërkuar përmirësim të punës së zotit Klosi dhe më pas shkarkimin e tij: “gjë që nuk është arritur për shkak të karakterit personal të zotit Klosi dhe shfaqjes së preferencave politike të tij jo ndaj mazhorancës por ndaj grupeve të interesave më pak se sa mazhoritare, gjithnjë të kushtëzuara me interesa abuzive vetjake, në mos private. Bllokimi apo mospranimi i këtyre kërkesave institucionale deri në mbylljen e mandatit të Mejdanit në presidencë nuk kishte lejuar përmirësimin e drejtimit të korigjimit të deformimeve abuzive të këtij institucioni”, tha zoti Nano.

Krahas akuzave të njohura për abuzime financiare të zotit Klosi, për të cilat ka bërë edhe denoncim në prokurori, kryeministri Nano përmendi edhe aspekte të tjera të cilat sipas tij kanë sjellë mosfunksionimin e ligjit dhe deformimin e shërbimit sekret: “rekrutim i punonjësve duke shmangur kriteret ligjore, marrëdhënie të dyshimta në shërbim dhe për shkak të shërbimit pavarësisht se në cilën trevë, larg apo afër zyrave me elementë të inkriminuar legalisht nga gjykata dhe së treti në daljen dhe abuzimin publik me inofmracione zyrtarisht të klasifikuara sekrete. Ka apo ska gazetarë të rekrutuar apo të vënë amoralisht nga drejtuesi i shërbimit në përdorim abuziv nuk më takon mua ta them. Kam të gjithë dijeninë për këtë gjë dhe kam të gjithë autoritetin për të administruar informacion të klasifikuar sipas ligjit”, shpjegoi kryeministri.

Zoti Nano iu përmbajt linjës së nisur prej tij kundër ish drejtuesit të shërbimit sekret, e përafërt me atë të opozitës në shumë aspekte, por duke i quajtur pseudoakuza përfundimet sipas të cilave shumica e majtë ka keqpërdorur shërbimet sekrete në dëm të opozitës dhe duke kritikuar kryetarin e komisionit parlamentar Spartak Ngjela për deklarimet e tij publike.

“Nëse ka ndonjë në këtë sallë apo jashtë saj qe gjykon se pseudoakuzat politike për keqpërdorim të shërbimeve sekret nga mazhoranca jonë në dëm të opozitës, mund të hidheshin poshtë ndryshe pa komisionin Ngjela-Fino, të ketë kurajo të pranojë dështimin e tij jo të partisë socialiste. Abuzimet dhe fushatat propaganditstike për shkak të teprimit të së drejtës së komunikimit me publikun nga drejtuesi i komisionit zoti Ngjela kanë sjellë edhe mbulimin dhe pamundësinë e evidentimit të të vërtetave në funksion të hetimit parlamentar dhe jo të teatrit propagandistik”, tha zoti Nano.

Megjithatë edhe këto deklarata nuk mundën të shuanin klimën e pakënaqësisë që një pjesë e mirë e deputetëve socialiste kishin shprehur që një javë më parë. Madje sot kundër kryeministrit Nano dolën hapur edhe anëtarët e Komisionit hetimor të parlamentit të cilët edhe gjatë punimeve të tij ishin ndarë në qëndrime nga përfaqësuesit e opozitës.

Ata i deklaruan zotit Nano se nuk janë dakord me përfundimet e arritura prej tij dhe se nuk do të pranojnë t’i firmosin ato në raportin përfundimtar. Debatet kanë qenë mjaft të ashpra. Edhe deputetë të tjerë kanë patur replika të forta me zotin Nano, pavarësisht përpjekjeve të tij për të siguruar mbështetjen e grupit parlamentar.//ss//

XS
SM
MD
LG