Lidhje

Biblioteka e Aleksandrise - 2002-10-29


Egjipti i lashtë ka qënë djep i qytetërimit. Shumë prej kontributeve të tij përfshijnë qeverinë e parë kombëtare, arithmetikën, fillimet e të shkruarit dhe kalendarin që përdorim sot.

Egjiptianët e lashtë luajtën rol të rëndësishëm në zhvillimin e mjekësisë, arkitekturës, inxhinjerisë dhe arteve. Historianët besojnë se gjatë shekullit të katërt para erës sonë, një nxënës i Aristotelit i quajtur Demetrius i Falerumit u dëbua nga Athina dhe gjeti strehim në Egjipt. Me propozim të tij, mbreti i Egjiptit dha urdhër për krijimin e një biblioteke në Aleksandri ku të mbaheshin të gjitha librat e botës dhe shkrimet e të gjitha kombeve.

Nga mesi i shekullit të parë, para erës sonë, biblioteka e Aleksandrisë përmbante deri në 700 mijë dorëshkrime. Mes studiuesve që punonin në këtë bibliotekë ishin matematikani Euklid, Herofilusi, që cilësohej si babai i anatomisë dhe shumë gjigandë të tjerë të shkencës e letërsisë.

Biblioteka funksionoi për 300 vjet dhe u shkatërrua e u zhduk si pasojë e tërmetit, vandalizmit, moskujdesit dhe censurës nga ana e autoriteteve të krishtere e më pas atyre myslimane.

Por këtë muaj, biblioteka e Aleksandrisë u rilind. Me ndihmën e shumë vendeve si dhe të UNESKO-s, Biblioteka e Aleksandrisë është një prej më të mëdhave në botë. Ajo ka një hapësirë për rreth 2 mijë lexues dhe përmban deri në 8 milionë libra. Arkivat e saj elektronike përfshijnë miliarda faqe. Duke patur këtë fanar të kulturës, Aleksandria do të tërheqë vemendjen e vizitorëve të shumtë, tha drejtori i bibliotekës, doktor Muhsen Zahrani. Por qëllimi kryesor i saj, tha ai, është zhvillimi i mendjes.

Zhvillimi i mendjes varet nga liria e shprehjes. Si të gjitha bibliotekat, bibliotekës së Aleksandrisë do t’i duhet të vendosë se cilat materiale e publikime janë të përshtatëshme për të. Duke vepruar kështu, drejtuesit e bibliotekës mund të ndjekin shembullin e traditës që e bënë paradhësen e saj një prej mrekullive të botës së lashtë./AL/

XS
SM
MD
LG