Lidhje

Kalendari Historik 3 nëntor - 2002-10-29


Edicioni i orëve të para të mëngjesit i gazetës Chicago Tribune në numrin e datës 3 nëntor 1948 kishte një artikull me titull të shtypur me të zeza ku shkruhej: ”Dewey mund Truman-in”. Ky titull i referohej fitores së pritshme gjatë ditëve të mëparshme të zgjedhjeve presidenciale të guvernatorit të New Yorkut, Thomas Dewey, kandidat republikan, ndaj presidentit aktual nga radhët e Partisë Demokrate, Harry Truman. Por ky titull ishte i gabuar. Më pas, një fotografi e presidentit Truman duke qeshur tek mbante në dorë një numër të gazetës Chicago Tribune me titullin e saj të pasaktë u bë e famshme. Redaktorët e gazetës në fjalë, të cilët kishin punuar për nxjerrjen e edicionit të 3 nëntorit të Chicago Tribune, e kishin shkruar titullin të bazuar në rezultatet e hershme paraprake të zgjedhjeve, sipas të cilave, dukej se governatori Dewey ishte fitues. Redaktorët e gazetës e pranuan gjithashtu se gati të gjithë parashikimet në bazë të anketave publike tregonin se guvernatori Dewey mund të kishte fituar. Vetëm presidenti Truman ishte njëri prej atyre pak parashikuesve politikë që mendonin se ai kishte fituar. Fitorja e zotit Truman në zgjedhjet e vititi 1948 është konsideruar si një prej përmbysjeve më të mëdha politike në historinë amerikane.

E ashtuquajtura ”veprimtare për të drejtën e votimit”, Susan B. Anthony u përpoq të votonte në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor të vitit 1872, por u arrestua për shkak të kësaj orvajtjeje. Ajo kishte provokuar me qëllim arrestimin e saj në New York për të fituar publicitet për kauzën e të drejtave të grave për të votuar. Ajo u nxor para gjyqit, u shpall fajtore dhe u gjobit me 100 dollarë se ishte përpjekur të votonte. Pas kërcënimit të saj për të mos e njohur vendimin e gjyqit dhe për të mos paguar gjobën, gjykatësi u shpreh se ajo mund të falej, po qe se do të largohej menjëherë nga shteti i New Yorkut. Susan B. Anthony ishte një veprimtare e fuqishme për të drejtën e grave për të votuar. Ajo nuk mori parasysh fyerjet e vazhdueshme personale gjatë fushatës së saj gati gjysëm-shekullore për të drejtën e grave për të votuar. Ajo e vazhdoi punën e saj për të drejtat e grave deri kur mbylli sytë në vitin 1906 në moshën 86-vjeçare. Fushata e saj përgatiti terrenin për miratimin në vitin 1920 të Amendamentit 19-të të Kushtetutës Amerikane, i cili u jep grave amerikane të drejtën për të votuar.

XS
SM
MD
LG