Lidhje

Sharon fton Netanyaun në postin e Ministrit të Jashtëm - 2002-11-01


Kryeministri izraelit Ariel Sharon ia ka ofruar postin e Ministrit të Jashtëm Benyamin Netanyahut, konkurentit të tij për qeverinë nga partia e krahut të djathtë Likud. Njoftimet nga Jeruzalemi bëjnë të ditur se zotit Netanyahu, ish-kryeministër i vendit, iu ofrua ky post në një takim në fermën e zotit Sharon në jug të Izraelit. Ai nuk e pranoi menjëherë postin, por të dy ata do të takohen përsëri të dielën. Zoti Sharon është angazhuar në përpjekjet për të rindërtuar qeverinë e tij që të mërkurën, kur ministrat e Partisë Laburiste të qendrës së majtë u tërhoqën nga qeveria në shenjë proteste ndaj rritjes së fondeve për ngritjen e vendbanimeve hebraike në territoret palestineze. Me tërheqjen e Partisë Laburiste, kryeministri kontrollon vetëm 55 vende në parlamentin me 120 deputetë. Ai ka në plan të zhvillojë bisedime me parti të vogla të krahut të djathtë në përpjekje për të kontrolluar shumicën e vendeve. Zoti Netanyahu njihet për qëndrimin e vijës së ashpër kundër palestinezëve. Nëse ai vjen në postin e ministrit të jashtëm, ai do të zërë vendin e ministrit Shimon Peres, arkitekti i marrëveshjeve izraelito-palestineze të paqes të vitit 1993. Dje zoti Sharon ia ofroi postin e ministrit të mbrojtjes një tjetër politikani të vijës së ashpër, gjeneralit Shaul Mofaz. Ish shefi i shtabit të forcave izraelite të mbrojtjes e ka pranuar fillimisht postin. Nëse parlamenti miraton kandidaturën e gjeneralit Mofaz si ministër mbrojtjeje, ai mund të zëvendësojë udhëheqësin e Partisë Laburiste Benyamin Ben-Eliezer. Ndërkaq, gazetat izraelite njoftojnë se zoti Sharon u ka thënë zyrtarëve amerikanë se qeveria e tij e re nuk do të bëjë ndonjë ndryshim rrënjësor në politikat e saj. Dje udhëheqësi palestinez Yasser Arafat tha se emërimi i gjeneralit Mofaz do të çonte në marrjen e masave më të ashpra izraelite kundër palestinezëve dhe nuk i shërben paqes në Lindjen e Mesme.

//rd//

XS
SM
MD
LG