Lidhje

Liria e shprehjes në Haiti - 2002-11-01


Michelle Montas-Dominique u nderua me çmimin Maria Moors, çmimi më i vjetër ndërkombëtar në fushën e gazetarisë. Zonja Montas-Dominique është kryeredaktore e lajmeve në Radio Haiti. Ajo është e veja e Jean Dominique. Ai ishte pronar i Radio Haitit dhe gazetari më i njohur i vendit të tij. Zoti Dominique u vra në prill të vitit 2 mijë. Nderi i zonjës Montas-Dominique me këtë çmim vë në pah shtypjen e vazhdueshme të lirisë së shprehjes në Haiti. Jean Dominique ishte komentator i ashpër politik dhe kritik i patrembur i regjimeve të njëpasnjëshme në Haiti. Ai dhe trupëroja Jean Claude Louissaint u vranë 2 vjet e gjysmë më parë ndërsa po shkonin në punë. Vrasësit e tyre nuk janë sjell ende para drejtësisë. Procesi hetimor është karakterizuar nga një numër parregullsish, përfshi kërcënimet ndaj gjykatësve dhe dëshmitarëve, kundërshtimi i policisë për të arrestuar ish oficerë të ushtrisë dhe mungesa e gadishmërisë së senatit të Haitit për t’i hequr imunitetin një ligjvënësi që është i dyshuari kryesor.

Eduardo Bertoni është përfaqësuesi i posaçëm në Organizatës së Shteteve të Hemisferës Perëndimore për Lirinë e Shprehjes. Në një raport të fundit, ai vë në dukje se “sjellje të tilla krijojnë një mjedis të frikshëm për komentatorët, të cilët druhen të dënojnë sulme të tjera.”

Që nga vrasja e gazetarit Jean Dominique, në Haitit kanë ndodhur edhe sulme të tjera kundër gazetarëve. Dhjetorin e kaluar, kryeredaktori i lajmeve në Radion Echo, Brignol Lindor, u godit për vdekje nga anëtarë të një organizate pro-qeveritare. Vrasja ndodhi disa ditë pasi zoti Lindor kishte intervistuar anëtarë të opozitës politike që bënin thirrje për dorëheqjen e presidentit Jean-Bertrand Aristide. Urdhërarreste janë lëshuar për dhjetë të dyshuar lidhur me këtë vrasje. Megjithëse janë bërë disa arrestime, ende nuk janë kapur të dyshuarit kryesorë.

Kërcënimet dhe dhuna kundër gazetarëve nga grupe të armatosura që veprojnë jashtë ligjit e dobëson edhe më shumë lirinë e shprehjes. Këto grupe veprojnë pa frikën e ndëshkimit kundër gazetarëve dhe të tjerëve si studentët demonstrues që përpiqen të shprehin pikëpamjet e tyre. Kërcënimet anonime kundër gazetarëve dhe mjeteve të shtypit në Haiti janë të zakonshme. Disa gazetarë janë larguar nga Haiti të frikësuar për jetën e tyre.

Qeveria e presidentit Aristide ka premtuar të marrë masa për të siguruar zgjedhje të lira dhe të drejta, për të respektuar shtetin ligjor dhe për të forcuar demokracinë. Këto hapa do të jenë të mundura vetëm pasi liria e shprehjes t’u garantohet të gjithë qytetarëve haitianë.

//rd//

XS
SM
MD
LG