Lidhje

Keqsohet gjendja e të drejtave të njeriut në Gjeorgji - 2002-11-02


Një sërë sulmesh kundër pakicave fetare në Gjeorgji ka tërhequr vëmendjen lidhur me keqësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në këtë ish-republikë sovjetike. Autorët e një prej këtyre sulmeve, që mendohet të jenë anëtarë të grupit ekstremist ortodoks gjeorgjian Xhivari, dogjën qendrën fetare të mbledhjeve të grupit Dëshmitarët e Jehovait. Në një sulm tjetër, autorët e tij shkatërruan banesën ngjitur me vendin ku do të mbahej takimi vjetor i grupit Dëshmitarët e Jehovait, në qytetin Kaspi.

Këto nuk ishin kurrsesi incidente të izoluara. Në të vërtetë dhuna kundër grupeve të pakicave fetare, sidomos kundër grupit Dëshmitarët e Jehovait, është rritur së tepërmi gjatë tre vjetëve të fundit. Sipas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit mbi lirinë ndërkombëtare fetare, gjatë vitit të kaluar në Gjeorgji zyrtarë të policisë lokale dhe të sigurimit vazhduan të përndjekin grupe të pakicave fetare jotradicionale, në mënyrë të veçantë misionarë vendas e të huaj dhe kanë qenë bashkëpunëtorë, ose në disa raste kanë marrë pjesë ose kanë krijuar kushtet për sulme kundër anëtarëve të këtyre grupeve.

Për më tepër policia e Gjeorgjisë nuk ka reaguar në rastin e sulmeve kundër anëtarëve të grupit Dëshmitarët e Jehovës dhe pakicave të tjera fetare, nga ana e ekstremistëve ortodoksë, kryesisht pasues të At Basil Mikalavishvilit, një prift ortodoks i çkishëruar. Në një rast një turmë sulmoi një kishë të Rëshajave, kur kori i kishës bënte prova, dhe plagosi 12 veta. Viktimat e sulmeve të tilla kanë ngritur mbi 700 padi penale, por autoritetet gjeorgjiane nuk kanë bërë asgjë për të ndalur dhunën. Askush nuk është mbajtur përgjegjës për këto akte dhe as dënuar.//ic//

Veprimtarë të të drejtave të njeriut kanë qenë gjithashtu në shënjestër. Në korrik, në kryeqytetin e Gjeorgjisë, Tbilisi, një bandë personash të paidentifikuar sulmuan zyrat e Institutit të Lirisë, duke rrahur punonjësit e tij dhe duke shkatërruar pajisjet. Instituti i Lirisë është një nga grupet kryesore të të drejtave të njeriut në Gjeorgji dhe ka kundërshtuar me forcë shtimin e dhunës së turmave kundër pakicave fetare.

Shoqëria civile është rritur në mënyrë të ndjeshme në Gjeorgji, qëkurse ky vend fitoi pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik më 1991. Por dhuna e turmave kundër pakicave fetare, në se lejohet të vazhdojë, mund ta përmbysë përparimin drejt respektimit të të drejtave të njeriut dhe pushtetit të ligjit në Gjeorgji. Është një parim themelor i demokracisë që qytetarët kanë të drejtë për mbrojtje të barabartë përpara ligjit. Dhe kjo sigurisht do të thotë ndalim i dhunës kundër pakicave fetare në Gjeorgji.

XS
SM
MD
LG