Lidhje

SHBA: secila nga partitë kryesore parashikon fitore në zgjedhje - 2002-11-05


Amerikanët do të përcaktojnë me votën e tyre raportin e forcave në Kongres. Në këto zgjedhje të paparashikueshme, kryesojnë çështja e ekonomisë dhe lufta kundër terrorizmit.

Amerikanët votojnë për një të tretën e Senatit si dhe të gjithë anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve.

Deri në minutën e fundit, kandidatëve demokratë dhe atyre republikanë u erdhën në ndihmë figura të shquara të partisë së tyre në përpjekje për të përmirësuar shanset për fitore.

Presidenti Bush kaloi dje një ditë të ngarkuar me fjalime në shtete të rëndësishme në përpjekje për të nxitur votuesit të hedhin votat e tyre për kandidatët republikanë:

“Mënyra më e mirë për të nxitur shtimin e vendeve të punës është duke u dhënë mundësi punonjësve të mbajnë paratë e tyre. Prandaj kam nevojë për njerëz në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve për t’i bërë të përhershme uljet e taksave,” thotë Presidenti Bush.

Edhe ish presidenti Bill Clinton mori pjesë në veprimtari fushatash për kandidatët demokratë.

Megjithëse në prag të hapjes së qendrave të votimit anketat i përshkruanin zgjedhjet si të paparashikueshme, të dyja partitë vazhdojnë të parashikojnë fitore.

Republikanët thonë se mund të ndodhë një përmbysje e traditës që partia e cila ka Shtëpinë e Bardhë humbet vende në Kongres.

Në garat për vende në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët besojnë se mund të fitojnë deri në pesë vende duke forcuar kontrollin e tyre, si dhe do të marrin shumicën në Senat, ku kontrollin e kanë demokratët.

Duke vënë në dukje pakënaqësinë e amerikanëve me ekonominë, demokratët parashikojnë se do të ruajnë dhe ndoshta edhe do të rrisin epërsinë e tyre në Senat si dhe do të fitojnë gjashtë vendet që i nevojiten në Dhomën e Përfaqësuesve për të siguruar shumicën.

Ja si shprehet kryetari i partisë demokrate Terry Macauliffe:

“Njerëzit thonë se votojnë për çështjet ekonomike. Por kush, mendojnë ata, do të bëjë një punë më të mirë për hapjen e vendeve të reja të punës, apo për ruajtjen e sigurimeve shoqërore dhe përmirësimin e sistemit arsimor. Ne gëzojmë epërsi në të gjitha anketat,” thotë zoti Macauliffe.

Kryetari i partisë republikane Marc Racicot kundërpërgjigjet duke theksuar se edhe republikanët shqetësohen për ekonominë dhe megjithëse këto janë gara të forta, ai parashikon se republikanët do të fitojnë si në Dhomën e Përfaqësuesve ashtu edhe në Senat:

“Këto janë gara shumë, shumë të forta në të gjithë vendin, veçanërisht për vendet në Senat. Besoj se në fund të fundit shumë gjëra do të varen nga pjesëmarrja në votime si dhe besimi që kanë votuesit tek kandidatët për të përmbushur çështjet që secili prej tyre i konsideron të rëndësishme,” thotë zoti Racicot.

Në zgjedhjet e sotme caktohen edhe guvernatorët e 36 shteteve, përfshirë edhe guvernatorin e shtetit Florida ku konkuron i vëllai i presidentit Bush, guvernatori aktual i këtij shteti Jeb Bush.

Vëmendja është përqëndruar edhe në procesin e votimit, ndërkohë që është ende i freskët kujtimi i incidenteve të pakëndshme në numërimin e votave në Florida për zgjedhjet presidenciale të vitit 2000. //ad//

XS
SM
MD
LG