Lidhje

Demokracia e shëndoshë e Turqisë - 2002-11-08


Më 3 nëntor populli i Turqisë shprehu dëshirat e tij nëpërmjet zgjedhjeve që i përshtaten demokracisë plot jetë të këtij vendi. Turqit nuk ua dhanë votat e tyre tri partive të koalicionit që kanë qenë në pushtet gjatë viteve të fundit.

Votuesit turq ia dhanë rreth 34 përqind të votave Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila është krijuar jo më larg se një vit më parë. Kurse 19 përqind të votave, ata ia dhanë Partisë Republikane Popullore, e vetmja parti tjetër që arriti minimumin e nevojshëm për t’u përfaqësuar në parlament. Si rezultat Partia për Drejtësi dhe Zhvillim do të ketë dy të tretat e vendeve në parlament, kurse Partia Republikane Popullore dhe një numër i vogël partish të pavarura, do të zënë vendet që mbeten.

Siç tha zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Richard Boucher, zhvillimi i zgjedhjeve tregoi gjallërinë e demokracisë së Turqisë. Shtetet e Bashkuara, tha zoti Boucher, presin të punojnë nga afër e në mënyrë të frytshme me qeverinë e re të Turqisë.

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim udhëhiqet nga ish-kryetari i bashkisë së Stambollit, Rexhep Tajip Erdogan. Kjo parti i ka rrënjët në një parti të mëparshme islamiste, gjë që ka ngjallur disa shqetësime në Turqi. Edhe pse shumica e turqve janë myslimanë, Turqia ka një traditë të gjatë laike. Por zoti Erdogan i ka siguruar votuesit se partia e tij është ndërtuar sipas modelit të partive demokristiane të Evropës. Megjithë emrin që mbajnë, këto parti evropiane janë krejt laike në politikat e tyre. Zoti Erdogan tha se partia e tij nuk kërkon të kombinojë shtetin me fenë.

Po ashtu zoti Erdogan ka shprehur mbështetje të fortë për futjen e Turqisë në Bashkimin Evropian. Partia Republikane Popullore ka bërë të njëjtën gjë. Udhëheqësit e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim u kanë bërë thirrje udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të shqyrtojnë me shpejtësi çështjen e anëtarësimit të Turqisë. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht aspiratat e Turqisë për t’u futur në Bashkimin Evropian. Është e qartë se është në interesin strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës që Turqia të jetë anëtare e Bashkimit Evropian.

Për amerikanët, si edhe për evropianët, Turqia ka qenë një aleate e paepur gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë. Tani Turqia është një partner i vlefshëm në koalicionin kundër terrorizmit ndërkombëtar. Dhe kultura islamike përparimtare e Turqisë mund të jetë një shëmbull pozitiv për myslimanët kudo në botë.

XS
SM
MD
LG