Lidhje

Kalendari Historik 9 nëntor - 2002-11-09


Më 9 nëntor 1965, një ndërprerje masive e rrymës elektrike në 9 shtete të pjesës verilindore të Shteteve të Bashkuara dhe në dy provinca verilindore të Kanadasë, u bë shkak për kaos në orët e mbrëmjes kur njerëzit lënë punën dhe kthehen në shtëpi. Ndërprerja e rrymës preku një rajon prej më shumë se 128 mijë kilometrash katrore, me popullsi prej rreth 25 milionë banorësh. Qyteti i Nju Jorkut mbajti peshën më të rëndë të humbjes së elektricitetit. Semaforët u fikën dhe udhëkryqet u bllokuan. Rreth 80 mijë punëtorë që ktheheshin nga puna në shtëpi u bllokuan nëpër metro dhe nëpër ashensorë ndërmjet kateve të ndërtesave shumëkatëshe. Shfaqjet e Brodwayit u anuluan. Dhomat e operacioneve mbetën në errësirë, derisa u vunë në funksionim gjeneratorët. Dhe shumë aeroplanë mbetën duke u vërtitur në qiell mbi pistat e aeroporteve të zhytura në errësirë. Pati njoftime për plaçkitje e grabitje, por edhe për njerëz që ndihmonin vullnetarisht. Në disa zona fshatare energjia u rivendos brenda një ore, por pjesa më e madhe e zonave mbeti pa drita deri në mesnatë.

Më 9 nëntor 1935 kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve, John Lewis, ndihmoi në krijimin e Kongresit të Organizatave Industriale. Kongresi përbëhej nga sindikata, anëtarët e të cilave punonin në degë të industrisë së prodhimit masiv, duke përfshirë industrinë e minierave, të veshjeve dhe uzinat e automobilave. Më parë zoti Lewis kishte ndihmuar në themelimin e Federatës Amerikane të Punës, e cila përbëhej nga sindikata, anëtarët e të cilave ishin punëtorë me kualifikim të lartë dhe paguheshin më mirë. Federata Amerikane e Punës në fillim nuk e njohu Kongresin e Organizatave Industriale, sepse anëtarët e kësaj të fundit konsideroheshin punëtorë të pakualifikuar. Megjithatë në vitin 1955 Federata Amerikane e Punës dhe Kongresi i Organizatave Industriale ranë dakord të bashkohen, duke u bërë kështu forca mbizotëruese në lëvizjen sindikaliste të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG