Lidhje

Administrata amerikane: Rezoluta fitore e madhe diplomatike - 2002-11-09


Administrata e presidentit Bush thotë se dje korri një fitore të madhe diplomatike me miratimin njëzëri nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së të rezolutës për dërgimin e inspektorëve të armëve të Kombeve të Bashkuara në Irak.

Fillimisht Shtetet e Bashkuara donin një rezolutë të vetme, në bazë të së cilës të dërgoheshin inspektorët në Irak dhe të autorizohej përdorimi i të gjitha mjeteve të nevojshme kundër Sadam Huseinit, në se ai sfidonte përsëri vullnetin e komunitetit ndërkombëtar.

Ajo që doli pas disa javë tratativash në Këshillin e Sigurimit ishte një rezolutë e vetme, e cila me kërkesë të Francës dhe Rusisë, kërkon ndër të tjera, që Këshilli i Sigurimit të mblidhet përsëri për diskutime të mëtejshme, në rast se Iraku përsëri nuk bashkëpunon.

Në komentet e tij, pas votimit përfundimtar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë OKB-së, John Negroponte, theksoi se rezoluta nuk parashikon përdorimin automatik të forcës, siç ishte qëllimi i Shteteve të Bashkuara në fillim të procesit.

“Kjo rezolutë nuk përmban dispozita të fshehura dhe as veprime automatike lidhur me përdorimin e forcës. Në se Këshilli informohet për shkelje të tjera nga ana e Irakut, prej Komisionit të OKB-së për Vëzhgimin, Verifikimin dhe Inspektimin, prej Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, apo prej ndonjë shteti anëtar, çështja do të kthehet në Këshill për diskutim, siç kërkohet nga paragrafi 12. Rezoluta e bën të qartë se çdo shkelje nga ana e Irakut është e papranueshme dhe se Iraku duhet të çarmatoset”, tha ambasadori amerikan.

Megjithatë zyrtarë të administratës amerikane thonë se fakti që ata ranë dakord që të mblidhet sërish Këshilli i Sigurimit në rast kundërshtimi nga ana e Irakut, nuk do i pengojë Shtetet e Bashkuara për të vepruar.

Pas miratimit të rezolutës, presidenti Bush tha se Sadam Huseini duhet t’u nënshtrohet pa përjashtim të gjitha metodave të inspektimit me një gatishmëri të menjëhershme dhe pa kushte, përndryshe do të ballafaqohet me pasojat më të rënda.

“Amerika, do të përcaktojë vetëm një gjë: a po i plotëson Iraku kushtet e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, apo jo? Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord ta diskutojnë çdo shkleje konkrete me Këshillin e Sigurimit. Por pa rrezikuar të drejtën tonë të veprimit për të mbrojtur lirinë e vendit tonë. Në se Iraku, nuk e respkton rezolutën, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do ta çarmatosin Sadam Huseinin”, tha presidenti Bush.

Rezoluta i jep Irakut 7 ditë afat për të konfirmuar në se i pranon kushtet e rezolutës dhe 30 ditë afat për të deklaruar se çfarë armë të shkatërrimit në masë dhe materiale që lidhen me to, zotëron. Inspektorët e OKB-së do të rifillojnë punën e tyre brenda 45 ditësh.

Befasia më e madhe në votimin e të premtes në Këshill ishte mbështetja e rezolutës nga Siria, e cila pati thënë se nuk ishte nevoja për ndonjë rezolutë të re dhe se i gjithë procesi ishte tendencioz, për faktin se Izraelit nuk po i bëhej asnjë lloj presioni për të respektuar rezolutat lidhur me palestinezët.

Në komentet e tij presidenti Bush përshëndeti guximin dhe qendrimin parimor të anëtarëve të Këshillit. Por ai theksoi se ata duhet të ruajnë unitetin dhe ndjenjën e objektivitetit, në mënyrë që Bagdati të mos mund të kthehet në taktikat e bllokimit e mashtrimit, që me aq sukses i ka përdorur në të kaluarën.

XS
SM
MD
LG